
Martesa e yllit britanik të muzikës pop Dua Lipa me aktorin Callum Turner po festohet këtë fundjavë në Palermo të Siçilisë, por jo të gjithë banorët e qytetit janë të lumtur për këtë ngjarje që mediat italiane e kanë quajtur “dasma e vitit”.
Pas shkëmbimit të betimeve në Londër fundjavën e kaluar, çifti mbërriti në Palermo me avion privat të enjten në mbrëmje. Festimet do të zhvillohen në disa prej vendeve më të njohura të qytetit, ndërsa të ftuar pritet të jenë emra të mëdhenj të botës së artit dhe muzikës, përfshirë Elton John, Kylie Minogue, Donatella Versace, Harry Styles dhe Charli XCX.
Të premten pasdite, të sapomartuarit pritet të vizitojnë privatisht Galleria d’Arte Moderna di Palermo, përpara se t’u bashkohen të ftuarve në një shesh të rrethuar nga masat e sigurisë. Detajet e ceremonisë ruhen me fanatizëm, ndërsa organizatorët kanë nënshkruar marrëveshje të rrepta konfidencialiteti.
Megjithatë, atmosfera në Palermo është e përzier. Disa banorë krenohen që këngëtarja ka zgjedhur qytetin e tyre për të festuar martesën, ndërsa të tjerë ankohen për bllokimin e rrugëve, masat e sigurisë dhe vështirësitë në jetën e përditshme.
“Për tre ditë jemi detyruar të parkojmë kilometra larg dhe të ecim në këmbë për të shkuar në punë. Nuk është e drejtë të bllokohet qyteti. Do ta kuptoja po të ishte për Papën, por jo për një këngëtare”, tha një punonjëse lokali në qendër të Palermos.
Banorë të tjerë shprehen se qyteti po kthehet gjithnjë e më shumë në një “park tematik” për turistët dhe ngjarjet luksoze, duke humbur identitetin e tij të përditshëm.
Nga ana tjetër, ka edhe zëra që e shohin dasmën si një mundësi ekonomike. “Njerëzit ankohen, por kjo është e mirë për ekonominë. Turizmi sjell punë dhe të ardhura”, tha një punonjëse hoteli dhe adhuruese e Dua Lipës.
Festimet do të zhvendosen të shtunën në Villa Valguarnera, një pallat i shekullit XVIII pranë Palermos, i njohur edhe si një nga vendet ku u xhirua seriali i Netflix-it The Leopard.
Kryebashkiaku i Palermos, Roberto Lagalla, i minimizoi ankesat duke i cilësuar si një “sakrificë të vogël” për një ngjarje që sjell vëmendje ndërkombëtare dhe përfitime ekonomike për qytetin. “Palermo po tërheq gjithnjë e më shumë turistë kulturorë dhe vizitorë me fuqi të lartë shpenzuese. Kjo është e rëndësishme për ekonominë tonë”, deklaroi ai.






















