Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se administrata e tij po shqyrton nëse ka autoritet ligjor për të arrestuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në rast se ai viziton qytetin për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që do të mbahet në shtator.
Në një intervistë për podkastin The Interview të The New York Times, Mamdani u shpreh se, sipas tij, Netanyahu duhet të përballet me drejtësinë ndërkombëtare.
“Unë besoj se kryeministri Netanyahu i përket Hagës. Ai është një kriminel lufte i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”, tha Mamdani.
Ai bëri të ditur se është në konsultime me Departamentin Ligjor të Bashkisë së Nju Jorkut për të përcaktuar nëse kryebashkiaku ka kompetencë të udhëzojë Departamentin e Policisë së Nju Jorkut (NYPD) për të ndaluar një udhëheqës të huaj.
“Çfarëdo që më lejon ligji të bëj në New York City, këtë do ta bëjmë. Por nuk do të krijojmë ligje të reja vetëm për këtë rast”, deklaroi ai.
Mamdani kishte bërë të njëjtin premtim edhe gjatë fushatës së tij për kryetar bashkie, duke thënë se do të përpiqej të zbatonte urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale ndaj Netanyahut, nëse ky i fundit do të vizitonte Nju Jorkun.
Nga ana tjetër, Benjamin Netanyahu e ka hedhur poshtë këtë mundësi. Në një intervistë të fundit ai akuzoi Mamdanin se mban qëndrime në mbështetje të Hamasit.
“Mendoj se ai duhet të shohë se kë po dënon dhe kë po lavdëron. Ai po dënon Izraelin, të vetmen demokraci që qëndron krah për krah me vlerat amerikane”, u shpreh Netanyahu.
Mamdani ka dënuar vazhdimisht ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza, ndërsa ka dënuar gjithashtu edhe sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Në të njëjtën intervistë, ai kritikoi ashpër edhe politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Gazës, duke e cilësuar atë “një nga qasjet politike më të falimentuara” të viteve të fundit.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut foli gjithashtu për çështje të tjera të politikës amerikane, duke shprehur mbështetje për një kandidim të mundshëm të Alexandria Ocasio-Cortez për presidente në vitin 2028, duke mbrojtur drejtimin e Komisioneres së Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, duke kritikuar politikat e emigracionit të Presidentit Donald Trump dhe duke theksuar se përballueshmëria e jetesës mbetet sfida kryesore për banorët e qytetit.






















