Funerali i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei është shndërruar në skenë tensionesh të forta politike, duke nxjerrë në pah përçarjet e thella brenda elitës së Republikës Islamike.
Sipas një analize të CNN, gjatë ceremonisë mortore disa pjesëmarrës nuk brohoritën në mbështetje të liderit të ndjerë, por hodhën akuza ndaj zyrtarëve aktualë, duke thirrur slogane si “Vdekje kompromis-bërësve”. Diplomati iranian Abbas Araghchi, i cili negocioi armëpushimin me administratën Trump, u detyrua madje të largohej nga ceremonia pasi u qëllua me gurë dhe u quajt “tradhtar”.
Fraksionet më radikale të regjimit besojnë se zyrtarët që drejtuan negociatat me SHBA-në po përpiqen të konsolidojnë pushtetin dhe po organizojnë një “grusht shteti të butë”, ndërsa udhëheqësi i ri suprem, Mojtaba Khamenei, djali i Ali Khameneit, vazhdon të mos shfaqet publikisht.
Sipas ekspertit për Iranin, Arash Azizi, mungesa e Mojtaba Khameneit ka krijuar një vakum autoriteti, duke bërë që figura si presidenti Masoud Pezeshkian, kryeparlamentari Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi të marrin drejtimin praktik të vendit. Pikërisht kjo ka ushqyer akuzat e radikalëve se ata po sfidojnë autoritetin e liderit të ri.
Tensionet politike janë shtuar edhe më shumë pas përshkallëzimit të ri ushtarak në Gjirin Persik. Sulmet e Gardës Revolucionare ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe kundërpërgjigjja amerikane kanë rritur presionin ndaj armëpushimit të brishtë mes Teheranit dhe Uashingtonit, ndërsa fraksionet e vijës së ashpër kërkojnë rikthimin e përballjes së drejtpërdrejtë me SHBA-në.






















