Politika 9 Qershor 2025, 21:26 Nga VNA

Kujtime nga Spaçi: Ish-të burgosurit ritakohen në betejën ‘për mbrojtjen e ferrit’

Ndaje në Whatsapp

Në rrënojat e ish-kampit famëkeq të Spaçit, ish- të burgosurit e komunizmit dhe aktivistë të rinj bashkojnë forcat për mbrojtjen e kujtesës kundër përpjekjeve për falsifikim të historisë.

Në sheshin mes dy godinave që qëndrojnë ende në këmbë të ish burgut famëkeq të Spaçit, dy burra përqafohen dhe për një copë herë, qëndrojnë shtrënguar në krahët e njëri-tjetrit.

Njëri është Fatos Lubonja, publicist, shkrimtar dhe ish i burgosur për 17 vjet në burgjet e diktaturës komuniste. Tjetri është Gjergj Lekaj, 78 vjeç, i arrestuar kur sapo kishte mbushur të 18-at për tentativë arratisje nga kufiri dhe gjithashtu ish i burgosur në Spaç.

Në një diell përvëlues të shtunën, të dy kishin udhëtuar në mënyrë të pavarur për t’iu bashkuar një proteste kundër ndërhyrjeve në ish-kampin e Spaçit në funksion të skenografisë së një filmi.

Kujtimet që i bashkojnë lidhen më shumë me ndjesitë se sa me ndodhi.

“Ditën e parë të punës në minierë Fatosi e ka bo me mua,” na thotë Lekaj, ndërsa e kujton ardhjen e Lubonjës në kamp edhe për shkak të bujës që krijonte dënimi i intelektualëve të kohës. Babai i tij, Todi Lubonja, ish drejtor i Radio Televizionit Shqiptar, u dënua pas festivalit të 11-të dhe bashkë me të nisi kalvari i vuajtjeve edhe për familjarët e tij.

“Ishte i ri, po ishte më i zgjuari nga të burgosurit e ishte i vetmi njeri që nuk hapej, rrinte më shumë vetëm, rrinte në bibliotekë. Më thoshte: Gjergj, nuk ka mënyrë më të mirë me e kalu atë pak kohë të lirë,” kujton Lekaj, ndërsa e quan Lubonjën një shembull të rezistencës për të burgosurit e tjerë.

Lubonja nga ana tjetër ka një përshkrim tjetër për ditën e tij të parë në galeri dhe Gjergji i vjen në kujtesë si një burrë që i ka dhënë sigurinë për të shkëmbyer dy fjalë, në një vend ku përveç vuajtjes, duhej t’i ruheshe edhe rrezikut të ridënimit.

“Gjergjin e takova me mall, ishte ai djali i fortë, por i drejtë,” thotë Lubonja, ndërsa i kujtohen ende rrëfimet e tij se si kishte goditur një oficer.  “Po më rrihte shokun me të cilin haja bukën, ndaj iu ktheva,” e tregon me krenari edhe pas kaq shumë vitesh atë moment Gjergji, akt i cili i kushtoi dhe një dënim tjetër me 2 vite plus.

Ritakimi i tyre në Spaç lidhet në dukje me një paradoks – ata kanë ardhur që të mbrojnë ‘ferrin’ e tyre nga restaurimi, pasi ndërhyrja e nisur nga qeveria parashikon punime ndërtimi, mure me blloqe të reja dhe suvatime të objekteve që fshijnë gjurmët e kohës.

Lubonja, si një ciceron i vuajtjes, u tregon aktivistëve të rinj në protestë fizionominë e kampit në 10 vitet e fundit të funksionimit të tij, para se të mbyllej përfundimisht me rënien e diktaturës në vitin 1991.

Ai ndalon në mes të shkallëve dhe prek me duar dy copa hekuri që shfaqesh disa centimetra mbi beton. “Këto janë shumë të rëndësishëm, sepse janë shenjat e portës që ndante zonën e të burgosurve me zonën lart të komandës. Ky ishte kufiri ynë që nuk mund ta kalonim,”thotë ai.

Më tej, Lubonja shpjegon një vizatim mbi beton që tregon në fakt një lojë ‘tresh’, ku të burgosurit krijonin mundësitë e ndonjë argëtimi të vogël mes tyre pas punës së rëndë në minierë, kohës së dënimit nëpër biruca, një ushqimi të keq dhe mësimeve të partisë që ishin të detyruara.

“Sa të burgosur kanë luajtur këtu? Si mund ta bësh të re këtë?” pyet ai në mënyrë retorike.

Në godinën që shërbente si fjetore janë ende shenjat në mure që tregojnë vendosjen e krevateve në 3 kate në dhoma ku flinin 30-40 veta.

Përballë saj, taraca e dikurshme që qëndronte si një ballkon mbi humnerën e malit nuk ekziston më, por disa tulla të kuqe të reja presin që të përdoren sipas projektit të miratuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Kjo ështe papranueshme për Lubonjën dhe bashkëvuajtësit e tij, që e shohin këtë tentativë restauruese si një shkatërrim të kujtesës dhe falsifikim të historisë.

“Çdo gur ka një gjë për të treguar këtu dhe nuk mund të zëvendësohet me një gur të ri,” këmbëngul ai.

Të rinjtë në mbrojtje të histories

Burgu- kamp i Spaçit u ndërtua nga regjimi i Enver Hoxhës në vitin 1968 për të shfrytëzuar punën e krahut të mijëra të burgosurve politikë në nxjerrjen e bakrit dhe piritit në minierë. Edhe pse është simboli i brutalitetit të regjimit totalitar shqiptar, në tre dekadat e fundit kanë dështuar përpjekjet e ish-të përndjekurve për ta konservuar këtë monument, me qëllim kthimin në një muze.

Një vit më parë, një plan-menaxhimi i miratuar nga Ministria e Kulturës dhe i konsultuar me të gjithë aktorët e shoqërisë civile parashikon konservimin e asaj çfarë ka mbetur nga godinat dhe përdorimin e njërës prej tyre në hyrje të ish-burgut si një hapësirë për të bërë muze.

Sipas aktivistëve të rinj që kanë inicuar dhe një peticion për ndalimin e punimeve, ndërhyrjet e nisura janë në kundërshtim me këtë plan menaxhimi dhe nuk marrin parasysh dëshmitë e atyre që kanë vuajtur në këtë kamp pune të detyruar.

Vilson Blloshmi, 26 vjeç, një prej organizatorëve të tubimit, e sheh aktivizmin e tij jo vetëm si një mbrojtje të trashëgimisë kulturore, por dhe si një ruajte të trashëgimisë së tij familjare.

Ai mban emrin e xhaxhait të tij, poetit Vilson Blloshmi që regjimi komunist e ekzekutoi pse guxoi të shprehte revoltën në disa vargje.

Në Spaç kanë vujatur dënimin babai dhe gjyshi i tij. “Për herë të parë kam qenë këtu 10-11 vjeç dhe megjithese nuk mund të kuptoja shumë, e papërshkrueshme ishte ndjesia revoltuese të shikoja dhomat ku kishte vuajtur gjyshi dhe babai,” i tha ai BIRN.

Sipas Blloshmit, “Spaçi nuk është thjesht një burg, është kujtim dhe ndjesi”, ndaj ai këmbëngul që duhet të ruhet siç është dhe jo të zbukurohet.

Edhe Sidorela Vatnikaj ka lindur pas rënies së diktaturës, por ishte ndër të parët aktivistë që kundërshtuan projektin restaurues të qeverisë për Spaçin, një vend për të cilin ajo e ka krijuar perceptimin nga kujtimet e Fatos Lubonjës në librin “Jetë burgu”.

“Çfarë po ndodh në Spaç nuk është vetëm dhunim i një vendi shumë të rëndësishëm të kujtesës tonë historike, ama edhe vijimësi e një logjike të mbrapshtë dhe dashakeqe për të na e mohuar të drejtën për ta njohur të kaluarën siç ka qenë, duke ia njohur edhe vrasësit, edhe viktimat, për t’u përballur me të dhe si të rinj, për t’u shkëputur përfundimisht prej saj, që të mund pastaj të ndërtojmë një të ardhme, pa të,” tha Vatnikaj.

Beteja për Spaçin nisi një javë më parë, kur disa foto që tregonin një godinë të lyer me bojë të bardhë nisën të qarkullonin në rrjet pas një statusi në facebook nga Arnen Sula, një tjetër i ri aktivist, që prej vitesh po angazhohet me projekte për mbrojtjen e memories me organizatën e tij “Tek Bunkeri”.

Sula me profesiona arkitekt thotë se nuk mund të bëhen ndërhyrje në objektet e mbetura të ish burgut pa respektuar kujtesën e këtyre njerëzve.

“Ndjej si përgjegjësi ndaj të vërtetës së tyre që të reagoj,” i tha ai BIRN-it, ndërsa shton se “kemi të bëjmë me një projekt rindërtimi estetiko-skenografik, jo me një ndërhyrje konservimi që ruan gjurmën e dhimbjes dhe materialin origjinal”.

Protesta e së shtunës ishte e dyta radhazi në Spaç, pasi një reagim i mëparshëm që përfshiu shoqatat e ish të përndjekurve politikë dhe familjarë të tyre u mbajt të enjten, ku po ashtu u kundërshtua kjo ndërhyrje.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, i mbrojti fillimisht ndërhyrjet dhe shpërndau një deklaratë ku fyente kundërshtuesit e projektit si “Sanço Pançot e politikës së vjetër”. Në një reagim të dytë, ai uli tonet dhe tha se çdo ndërhyrje do të bëhej duke respektuar dëshmitë dhe premtoi se do të respektohej plani i menaxhimit.

Ndërkohë, të hënën, komisioni parlamentar për Median dhe Edukimin vendosi që ta thërrasë Gonxhen në një seancë dëgjimore për të adresuar shqetësimin publik për këtë projekt të kontestuar./BIRN/

 

 

Video

Mesditën e së dielës, në lagjen nr. 15 të qytetit të Durrësit, një përplasje mes dy familjeve ka përfunduar me dy persona të plagosur. Mësohet se dy familjet, të cilat banonin pranë njëra-tjetrës, u përfshinë në një konflikt fizik dhe si pasojë, dy persona mbetën të plagosur. Ata u dërguan në urgjencën e spitalit rajonal të Durrësit, ku njëri prej tyre ishte goditur me thikë, ndërsa tjetri kishte marrë dëmtime nga sende të forta. Autori i dyshuar u largua menjëherë nga vendngjarja, ndërsa policia po kryen ndjekje për kapjen e tij dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. https://www.vna.al/kronika/konflikti-mes-fqinjeve-ne-durres-perfundon-me-dy-te-plagosur-i14195

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Prekal të Shkodrës, janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur plotësisht dy automjete tip “Benz” dhe “Range Rover”, në përdorim nga shtetasi E. N., 35 vjeç. Mjetet ndodheshin të parkuara në rrugë, pranë banesës së tij. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se zjarri është vendosur qëllimisht. https://www.vna.al/kronika/nje-35-vjecari-ne-shkoder-i-djegin-dy-makinat-luksoze-prane-baneses-i14192

Ekstradohet Soni Pepa nga Republika Domenikane drejt Shqipërisë. Ai ishte në kërkim për trafik kokaine dhe ishte pjesë e klanit kriminal Çopja. https://www.vna.al/kronika/u-arrestua-ne-republika-domenikane-soni-pepa-ekstradohet-drejt-shqiperis-i14182

? Elefantët mund ta gjejnë ujin përmes nuhatjes Sipas një studimi të ri, elefantët afrikanë kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të lokalizuar ujin duke përdorur vetëm nuhatjen e tyre. Studiuesit kryen dy eksperimente me elefantë gjysmë të zbutur për të përcaktuar nëse vetëm sinjalet e nuhatjes mund t’i drejtonin drejt burimeve të ujit. Në teste, elefantët zgjidhnin vazhdimisht ujin nga burime natyrale dhe artificiale në vend të ujit të distiluar, duke treguar se ata mund ta dallonin ujin përmes erës. Për më tepër, ata mund të dallonin tre komponime organike të paqëndrueshme (VOC) që shpesh lidhen me ujin — geosmina, 2-metilizoborneoli dhe dimetil sulfuri — edhe pse këto komponime nuk ishin të pranishme në mostrat e ujit të përdorura në studim. Kjo sugjeron se elefantët po zbulojnë komponime të tjera të paqëndrueshme, ndoshta më komplekse ose më të njohura për ta, për të njohur ujin. Aftësia e tyre për ta bërë këtë në distanca të shkurtra tregon për një përshtatje evolutive për të mbijetuar në mjedise ku uji është i pakët dhe ndonjëherë i fshehur.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme