Kronika 22 December 2025, 16:09 Nga VNA

Gjyqtarët i drejtohen KLGJ-së: alarm për mbingarkesë, pasiguri dhe standarde të parealizueshme në gjykata

Ndaje në Whatsapp

Gjyqtarët i drejtohen KLGJ-së: alarm për mbingarkesë,

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i është drejtuar zyrtarisht Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), duke ngritur shqetësime serioze dhe urgjente për funksionimin e gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, veçanërisht Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit në Tiranë, si edhe për gjykatat administrative.

Në një kërkesë të miratuar në mbledhjen e datës 10 dhjetor 2025, Shoqata vëren se këto gjykata përballen me ngarkesën më të madhe të çështjeve në rang vendi, në një situatë të zgjatur mbingarkese që ka nisur që prej vitit 2018, pas fillimit të procesit të vettingut. Mungesa e theksuar e burimeve njerëzore, si në nivelin e gjyqtarëve ashtu edhe të administratës, ka krijuar një krizë strukturore që po cenon drejtpërdrejt funksionimin normal të drejtësisë.

Sipas Shoqatës, kjo situatë ka kaluar prej kohësh kufijtë e një vështirësie të përkohshme, duke cenuar parimin kushtetues të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, eficiencën e sistemit dhe besimin e publikut. Alarmante konsiderohen edhe pasojat njerëzore të kësaj mbingarkese, përfshirë raste ekstreme të cenimit të jetës së gjyqtarëve, si rasti tragjik i gjyqtarit Astrit Kalaja.

Një nga problematikat kryesore të ngritura lidhet me sigurinë institucionale në gjykata. Shoqata evidenton mungesën e personelit të trajnuar për sigurinë, mungesën e pajisjeve bazë si detektorët metalikë, si dhe mungesën e ndarjes funksionale të ambienteve mes gjyqtarëve, administratës dhe publikut. Po ashtu, theksohet mungesa e personelit të dedikuar për garantimin e rendit gjatë seancave gjyqësore.

Në fokus të veçantë është edhe ngarkesa ekstreme e punës. Gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë përballen me mbi 1100 çështje për gjyqtar, një situatë që zgjat prej më shumë se shtatë vitesh. Ndërkohë, në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm rreth 50 mijë dosje presin shqyrtim, me ankime që datojnë ende nga vitet 2017–2018. Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me organikën e paplotësuar të gjyqtarëve dhe mungesën e stafit administrativ të trajnuar.

Shoqata kritikon gjithashtu transferimet dhe rishortimet e çështjeve, të cilat, sipas saj, kanë rritur më tej presionin mbi gjyqtarët aktualë, duke cenuar mirëqenien e tyre fizike dhe psikologjike dhe duke ndikuar negativisht në cilësinë e vendimmarrjes gjyqësore.

Një tjetër shqetësim madhor lidhet me standardet e reja të vlerësimit të gjyqtarëve, të parashikuara në vendimin nr. 433, datë 22.07.2025, të KLGJ-së. Shoqata i konsideron këto standarde objektivisht të parealizueshme në kushtet aktuale të mbingarkesës dhe paralajmëron se ato rrisin presionin, subjektivizmin dhe rrezikojnë pavarësinë e brendshme të gjyqtarëve. Po ashtu, kritikohet standardi 4-mujor për arsyetimin e vendimeve, i cili vlerësohet si jo realist dhe joproporcional.

Në këtë kontekst, Shoqata i kërkon KLGJ-së masa të menjëhershme, përfshirë plotësimin urgjent të vakancave të gjyqtarëve, shtimin dhe trajnimin e stafit administrativ, përmirësimin e sigurisë në gjykata, rishikimin e standardeve të vlerësimit dhe pezullimin e afateve të parealizueshme, si edhe investime në infrastrukturë dhe digitalizim.

Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve thekson se adresimi i këtyre problematikave është thelbësor për garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, mirëqenien e gjyqtarëve dhe ofrimin e një drejtësie cilësore, efektive dhe të besueshme për qytetarët, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me KLGJ-në.

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme