Kronika 27 Tetor 2025, 15:22 Nga VNA

Boom ndërtimesh, pak hetime: Raporti i Prokurorit të Përgjithshëm në Parlament dhe realiteti i pastrimit të parave me ndërimet në Tiranë

Ndaje në Whatsapp
Boom ndërtimesh, pak hetime: Raporti i Prokurorit të

Në raportimin e tij vjetor në Kuvend, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela deklaroi se ka “rezultate pozitive” në hetimet për veprën penale të pastrimit të parave, duke theksuar se është rritur numri i të pandehurve dhe i procedimeve penale, si dhe se janë ngritur 7 seksione të posaçme në prokuroritë e vendit që merren vetëm me hetimin e krimit financiar. Ai tha se hetimet kanë prodhuar sekuestrime të pasurive të paluajtshme, por pa dhënë shifra konkrete:

“Sa i përket hetimit të pastrimit të parave, në 7 prokurori të vendit kemi seksione të posaçme, ndërsa në prokuroritë e tjera kemi prokurorë për këto vepra penale. Sa u përket ndërtimeve, të dhënat për sekuestrime janë pozitive. Nuk mund të specifikoj se ku gjenden sipërfaqet e sekuestruara, por rëndësi ka qasja pozitive.”

Por ndërsa prokurori Çela raportonte për rezultate, realiteti i tregut të ndërtimit në Tiranë flet për një tjetër histori. Raportet ndërkombëtare dhe analizat vendase tregojnë se sektori i ndërtimit është shndërruar në një kanal kryesor të pastrimit të parave, me vlera që tejkalojnë miliarda euro dhe me shumë pak hetime efektive.

Sipas Global Initiative Against Transnational Organized Crime, e cila publikoi në maj 2024 raportin “Skyscrapers and Shadows: Albania’s Construction Boom Masking a Web of Crime and Corruption”, 67% e kompanive që ndërtojnë godina shumëkatëshe në Tiranë nuk kanë kredi bankare apo burime financiare të verifikuara. Ky është një tregues i fortë për përfshirjen e kapitalit informal, shpesh me origjinë të dyshimtë. Po në këtë raport thuhet se “mungesa e financimit bankar për një pjesë kaq të madhe të projekteve të mëdha tregon për përdorim të parave cash dhe rrjete kompanish guaskë për fshehje të burimit të fondeve”.

Ndërkohë, Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), në Raportin Kombëtar të Vlerësimit të Riskut 2023, renditi sektorin e ndërtimit si sektorin më të ekspozuar ndaj pastrimit të parave në Shqipëri. Në raport citohet shprehimisht:

“Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme përbëjnë kanalin më të përdorur për investim të fondeve me origjinë të dyshimtë, për shkak të përdorimit të parasë fizike dhe mungesës së transparencës në burimin e kapitalit.”

Një tjetër kontradiktë që e mbështet këtë panoramë vjen nga raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë për Kredinë Sektoriale 2024, ku tregohet se kreditimi për ndërtim ka rënë me 9.2% krahasuar me vitin 2022, ndërkohë që lejet e ndërtimit në Tiranë janë shtuar me 35% në të njëjtën periudhë (të dhënat zyrtare të INSTAT për tremujorin e dytë 2024). Ky mospërputhje i hap rrugën dyshimeve për përdorimin e kapitalit informal.

Në këtë sfond, vetë kryeprokurori Çela pranoi sot në seancë plenare se bashkëpunimi me Drejtorinë e Tatimeve dhe Drejtorinë e Doganave mbetet i dobët, duke u shprehur se cilësia e referimeve nuk është në nivelin e kërkuar:

“Nuk mendoj se situata është e kënaqshme. Presim më shumë kontribut nga Drejtoria e Tatimeve për referime lidhur me veprën penale të pastrimit të parave. Kuadri ligjor është i plotë, por sfidat lidhen me cilësinë e bashkëpunimit.”

Sipas Raportit të Altax (qershor 2024), “Money Laundering in the Construction Sector and its Impact on Supply, Demand and Real Estate Prices”, referimet nga Tatimet dhe Doganat për raste të dyshuara pastrimi përbëjnë më pak se 12% të kallëzimeve që mbërrijnë në prokurori, çka do të thotë se pjesa më e madhe e aktivitetit të dyshuar financiar kalon pa u hetuar fare.

Pavarësisht pohimeve të Çelës për “qasjen pozitive” dhe rritjen e procedimeve penale, asnjë institucion nuk ka publikuar deri më sot një bilanc transparent mbi numrin, sipërfaqen apo vlerën e pasurive të sekuestruara si rezultat i hetimeve për pastrim parash. Në mungesë të të dhënave konkrete, raportimi i sotëm në parlament mbetet formal, ndërsa realiteti ekonomik i kryeqytetit flet për një sistem që ndërton shumë, por heton pak.

Në një treg ku cash-i është mbret, kreditimi zyrtar bie, dhe kompanitë guaskë rriten, raportimi i Çelës la më shumë pyetje sesa përgjigje: kush po financon kullat e reja të Tiranës, pse nuk ka hetime të thelluara për burimin e fondeve dhe pse institucionet fiskale nuk arrijnë të japin sinjalet që do të duhej të nxisnin hetimin penal?

Deri sa këtyre pyetjeve t’u jepet përgjigje me fakte dhe shifra, rritja e procedimeve do të mbetet statistikë, ndërsa Tirana do të vazhdojë të ndërtojë më shumë se ç’është në gjendje të shpjegojë.

Video

Ju flet Evis Sala për dhunën ndaj grave në hapësirën digjitale… e sigurt që nuk e ka parë konferencën e djeshme të shefit te madh

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bagdad është goditur nga një dron ose raketë, sipas një zyrtari të sigurisë irakiane. Sulmi ndodhi pak pasi dy militantë të mbështetur nga Irani u vranë në një bastisje në kryeqytetin irakian. Është hera e dytë që ambasada amerikane sulmohet që nga fillimi i luftës Izrael-SHBA kundër Iranit. Sulmet janë marrë përsipër nga grupe të armatosura pro-iraniane në Irak, të cilat prej ditësh po godasin me dronë dhe raketa bazat amerikane në rajon.

Dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj nga Shëngjini. Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë. E reja dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të vështirë personale dhe dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkuan më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për rastet e dhunës në familje.

Një grup prej rreth 20 grabitësish të maskuar realizuan një grabitje në dyqanin e bizhuterive “Kumar” në Kaliforni, duke marrë mallra me vlerë mbi 1.4 milion dollarë brenda rreth 70 sekondash. Sipas autoriteteve, grabitësit thyen vitrinat me çekiçë dhe morën rreth 75–80% të bizhuterive të ekspozuara, para se të largoheshin me automjete që i prisnin jashtë. Policia arrestoi katër të rinj të moshës 19–20 vjeç pasi ndaloi një prej automjeteve të përdorura për arratisje, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme