Politika 23 September 2024, 19:35 Nga VNA

KMSH reagon për planin e sovranitetit të Urdhrit Bektashi: Nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit

Ndaje në Whatsapp
KMSH reagon për planin e sovranitetit të Urdhrit Bektashi: Nisma

Komuniteti Mysliman Shqiptar ka reaguar në lidhje me lajmet e fundit për themelimin e një mikroshteti sovran të Urdhrit Bektashi, ku shprehet se KMSH  është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri dhe se në këtë kontekst shpreh shqetësimin për deklaratat publike ku flitet për “Islamin modern”, “Islamin shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës.

KMSH gjithashtu thotë se Shqipëria nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Më tej gjithashtu thotë se kjo nismë për të cilën janë njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Deklarata e plotë:

Nisur nga interesi i lartë i besimtarëve, mediave, dhe opinionit publik, lidhur me hapjen e diskutimit për themelimin e “Sovranitetit të Urdhërit Bektashi” në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë deklarohet sa më poshtë vijon:

Komuniteti Myliman i Shqipërisë është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri.

Feja jonë ka tre komponentë themelorë mbi të cilët ushtron veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë për mbi një shekull, të cilat janë:

1-Kurani Famëlartë, fjala e Zotit të Gjithësisë,

2-Tradita Profetike,

3-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për “Islam modern” apo “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë.

Këto terma nuk kanë asnjë lidhje me Islamin si fe, e cila është fe universale dhe bazohet mbi Kuranin dhe Traditën Profetike dhe respekton kushtetutat e ligjet në çdo vend ku bën pjesë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni nën obrellën e të cilit kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë të përfaqësuara të gjitha tarikatet derivate.

Ky ka qenë edhe qëllimi i dijetarëve myslimanë të cilët kanë punuar për një Shqipëri të pavarur, laike dhe multi fetare.

Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend.

Ky komunitet nuk e ka cilësuar kurrë harmoninë e dialogun si “domain” të tijin, pasi kjo vlerë e jashtëzakonshme që ekziston në vendin tonë është kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë.

Në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Të gjitha fetë abrahamike në thelbin e tyre kanë si qëllim t’i shërbejnë Rrugës së Zotit dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri, siç bëjnë prej mijëra vjetësh.

Kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Sa më lart sqaruam, ne sigurojmë besimtarët myslimanë në Republikën e Shqipërisë se do t’i përfaqësojmë ata dhe çdo besimtar të cilitdo tarikati, ashtu siç kemi bërë deri më sot, edhe në vijim.

Ne do të vijojmë ta ndjekim me vëmendje këtë çëshjte dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë.

 

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme