
Teksa SPAK vijon të shtojë listën e politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar, që pasurohen në formë të paligjshme, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) nuk sheh thuajse asgjë. Krisma nuk ka pasur, e nëse ka pasur, kanë qenë diku larg.
VNA ka siguruar raportin e tij vjetor për vitin 2025. Për këdo që ka pritur ndonjë kthesë serioze në zbulimin e pasurive të paligjshme të pushtetarëve, ky dokument nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi e radhës e një institucioni që mjaftohet me statistika burokratike dhe "përparime" në letër, ndërkohë që korrupsioni galopant mbetet i paprekur në terren.
Më poshtë renditen gjetjet më kritike të këtij raporti, të cilat konfirmojnë se pas fasadës së integrimit evropian fshihet një dështim i madh institucional.
Premtohet metodologjia e "Red Flags", po ku ishin deri tani?
Një nga pikat më kritike të raportit është pranimi implicit se deri më sot, ILDKPKI ka kontrolluar pasuritë e zyrtarëve me sy mbyllur, pa një analizë të mirëfilltë risku. Vetëm në vitin 2025, nën presionin e Bashkimit Evropian dhe Kuvendit, po tentohet të futet një model i bazuar në indikatorë risku ("Red Flags"). Raporti thotë:
"...ka avancuar metodologjinë e verifikimit të deklarimeve përmes një modeli kontrolli të bazuar, jo vetëm në skemën e parashikuar nga kuadri ligjor në fuqi, por edhe në draftimin e përfshirjen e indikatorëve të riskut ("Red Flags")..."
Dhe ku ndodhet ky sistem kaq jetik sot? Ende nëpër letra e manuale "në proces zhvillimi". Raporti konfirmon se: "ILDKPKI është në kontakt me ekspertët e projektit mbi zhvillimin në proces të manualit të brendshëm të verifikimit të shenjave paralajmëruese...". Pyetja që lind natyrshëm është: Si janë kontrolluar deri më sot pasuritë e politikanëve tanë pa u përdorur këta tregues risku?!
Gjoba po, në prokurori jo...
Në analizën statistikore, ILDKPKI përpiqet të shesë si sukses vendosjen e 75 masave administrative me gjobë dhe vetëm 16 referime penale përgjatë vitit 2025. Ky raport dëshmon qartë se institucioni preferon të vendosë gjoba të thjeshta financiare sesa të çojë zyrtarët e korruptuar para drejtësisë penale.
Për vitin 2025, raporti tregon se:
"Janë aplikuar në total 33 masa administrative me gjobë për shkelje të kuandrit ligjor për deklarimin e interesave private" dhe "Janë aplikuar në total 15 masa administrative me gjobë për shkelje të kuandrit ligjor për parandalimin e konfliktit të interesave".
Kjo qasje "gjobit dhe harro" është bërë një lloj takse komode për zyrtarët e lartë. Pagesa e një gjobi është një çmim qesharak për të fshehur miliona euro pasuri të padeklaruara. Ky nuk është track-record i një lufte pa kompromis, por një bilanc administrativ i mjerueshëm.
Lufta ndaj konfliktit të interesit, një tjetër ligj zvarrë
Saga e paaftësisë vijon me kuadrin ligjor për konfliktin e interesit. Ndërsa GRECO dhe BE theksojnë se legjislacioni shqiptar mbetet "relativisht kompleks", ILDKPKI mjaftohet me deklaratën se projektligji i depozituar që në vitin 2021 (!) pritet të miratohet në tremujorin e parë të vitit 2026. Katër vite zvarritje për një projektligj që duhet të ishte shtylla e integritetit zyrtar. Raporti thekson se ky ligj i ri:
"...synon modernizimin dhe konsolidimin e kuadrit ligjor ekzistues... me qëllim garantimin e ushtrimit të paanshëm të funksioneve publike dhe parandalimin e ndikimit të interesave privatë në proceset e vendimmarrjes..."
Nëse ky modernizim vjen me ritme të tilla breshke, administrata publike do të vazhdojë të mbetet e mbytur nga interesat privatë edhe për shumë vite të tjera.
Raporti i ILDKPKI për vitin 2025 është një autogol institucional. Ai dëshmon se lufta ndaj korrupsionit të zyrtarëve të lartë në Shqipëri mbetet peng e mungesës së akteve nënligjore, metodologjive të mbetura rrugëve në fazë "draftimi" dhe një dëshire të madhe për t'u mbrojtur pas gjobave sesa pas prangave. Partnerët ndërkombëtarë mund të vazhdojnë t'i zgjedhin drejtuesit e këtij institucioni si "zëvendëspresidentë" rrjetesh ndërkombëtare, por për qytetarët shqiptarë, ky institucion mbetet një nga zhgënjimet më të mëdha të reformës në drejtësi






















