Histori të harruara 5 Korrik 2025, 08:00 Nga VNA

Historia e panjohur e “Marubit” të Beratit: Tre fatkeqësi të rënda pllakosën fondin e tij, iu dogj shtëpia dhe arkivi, stuhia i shkatërron studion

Ndaje në Whatsapp
Historia e panjohur e “Marubit” të Beratit: Tre fatkeqësi

Ndër fotografët e Beratit, që ka lënë gjurmë të thella në historinë e qytetit në shekullin e kaluar, është dhe Ilia Xhimitiku. Madje, ai për kohëzgjatjen e veprimtarisë së tij fotografike, nivelin dhe fushat ku e ka ushtruar atë, ai, ze pamëdyshje vendin e parë midis tyre. Përmendim se para tij aty, kishin fotografuar Koçi Kusta dhe Naun Vruho, të cilët i kanë shërbyer gjatë komunitetit, por në të njëjtën kohë, duke “kapur” edhe pamje të zgjedhura të qytetit.

Më pas, këto foto janë shtypur në kartolina (b/z), jashtë vendit, dhe sot mund të gjenden nëpër shtëpi të ndryshme shqiptare, jo vetëm beratase. Berati, qyteti 2400 vjeçar, për pamjet tërheqëse, më herët ishte vizituar edhe nga piktorë të huaj të shekullit XIX-të, si anglezët Eduard Lear dhe Charles Cockrell, të cilët kishin realizuar atje piktura me pamje të ndryshme të tij. Pra, qyteti me vendndodhjen dhe mënyrën e ngritjes së banesave, lidhjen e tyre me relievin, paraqiste interes të përhershëm dhe të veçantë për artistët. Duket i drejtë mendimi se, vështirë ndonjë mënyrë tjetër e ndërtimit të banesave të qytetit, do t’i jepte Beratit hijeshinë e sotme.

Ilia Xhimitiku, ose Lilo Xhimitiku, siç e thërriste gjithë qyteti për vite e vite me radhë e, po ashtu ai e kujton edhe sot me këtë emër të lëmuar, është lindur në lagjen karakteristike, “Goricë”, të Beratit, më 20 korrik 1907. Familja e tij asokohe merrej me tregti. Një dhuratë e veçantë e vëllait të madh, Milto, aparati fotografik “KODAK” (6X9), shkaktoi “prekjen” e parë të tij me botën e fotografisë, një botë që do ta mbante gjithë jetën të lidhur me të e, do t’i siguronte jetesën, por do ishte dhe burim kënaqësish të pamata shpirtërore.

Fillon të mësoj fotografimin tek Palok Gurashi, më pas, shërbimi ushtarak në Shkodër, i dhuron rastin të njihet me Marubët (Kel dhe Gegë) dhe me fotografë të tjerë shkodranë. Më 1929, Ilia Xhimitiku, liçensohet nga Oda e Tregtisë së Beratit, për të ushtruar publikisht mjeshtërinë e fotografit (Gazeta “Milosao”-“Ura e Goricës në Berat, pse duhet restauruar” – nga Genci Samimi e Dritan Çoku, -18 dhjetor 2010). Një udhëtim, më 1936, në Itali, i mundëson njohjen me qytetërimin dhe kulturën italiane (për aq sa lejon një udhëtim), por edhe pajisjen me aparate dhe materiale për fotografim të prodhuar atje së fundmi.

Me kthimin në vendlindje, puna e tij si fotograf u përmirësua, ndaj dhe u shtua. Flasim kryesisht për portrete për qytetarët, punë me të cilën “mban familjen”, por dhe që e kryente me përkujdesje e aftësi. Nuk harron t’i shoqëroj fotot me njërën nga dy vulat, atë të thatë, “Foto Xhimitiku-Berat (Albania)”e, që vendoste në pjesën e përparme të fotos, djathtas poshtë, ndërsa të njomën, “Ilia Xhimitiku–Fotograf Berat” në anën e prapme.

Veprimtaria rutinë në dyqan, me portrete të porositura, nuk e pengon atë që të realizojë edhe jashtë tij, në raste festash familjare, fetare, shoqërore, foto të pa kërkuara dokumentare të ngjarjeve të Beratit, që më vonë do të bënin histori. Tregon vëmendje, sidomos për të paraqitur në fotografitë e tij veshjet tradicionale të krahinës. Gjithashtu, të shumta janë fotot e Xhimitikut që paraqesin vërshimet karakteristike të herëpashershme të lumit Osum dhe përmbytjet që pasojnë në rrugët e qytetit. Nga ato, kuptohet edhe një farë pafuqishmërie e banorëve, përballë forcave të verbra të natyrës.

Ndërkohë, ai, është përherë në gjah të të rejave në qytet, si vizita personalitetesh, përvjetorë, ndërtime dhe rindërtime urbane, gjithçka të ndryshme nga e përditshmja e një qyteti tradicional pa industri e jetë të zhurmshme metropoli, por me banorë bujarë e tipikë për harmoni. Theksohet ky fakt edhe sepse në Berat, kishte dhjetëra kisha ortodokse dhe, po aq xhami myslimane, ku besimtarët ushtronin fetë e tyre, duke respektuar në të njëjtën kohë, edhe të të tjerëve. Në frymën e kësaj bashkëjetese të qetë, mendojmë se është edhe një peizazh nga qyteti, fotografuar nga pjesa e sipërme e lagjes Goricë.

Shikimi i shpejt të kujton pikturat e Lear, fotoja nuk ka kontraste tonale dhe është e mbajtur në game (duke përdorur një term nga piktura). Madje, mungesa e kontrasteve e largon disi këtë shkrepje nga statusi i kartolinës. Fotoja të zhyt në atmosferën e kohës të një qyteti pa ngjarje-kreshta dhe ka një romantizëm të ngrohtë. Në foto të tjera, ai, ka përdorur me shije kontrastet tonale. Kjo, vërehet sidomos në disa “shkrepje” të rrugicave të ngushta të lagjeve karakteristike, “Mangalem” dhe “Goricë“, ato marrin ndriçim të tërthortë nga drita diellore që bije mbi muret e bardhë të shtëpive.

Ndër fotot dokumentare të Xhimitikut, mund të përmendim “Ngritja e bustit të “Babë Dudës” (1937), Rikonstruksionin e Urës së Goricës (1938), formimin e Qeverisë Demokratike (tetor 1944), Vizitën e Hrushovit (1959) (Gazeta “Shekulli” – Lilo Xhimitiku-një fotograf për Beratin e viteve ‘30” -nga Sulo Gozhina, 02.7.2007). Një foto tjetër e Xhimitikut, dokumentare dhe historike, paraqet një grup të burgosurish politikë në Berat, më 1945. Dy prej të cilëve, Namik Meqemeja dhe Resul Dollani (Toxhari), djem të rinj, rreth 20-22 vjeç, u ekzekutuan pas pak kohe, ngjarje që tronditi një pjesë të madhe të banorëve të qytetit.

Gjithsesi, duke shikuar me vëmendje ato ekzemplarë fotografikë, që kanë “mbijetuar” në duart e dashamirësve të tij, mund të thuhet se ai zotëronte me lehtësi elementë të gjuhës së fotografisë, si kuadrimi, dritë-hija, kënd-shikimi, kontrastet. Në peizazhet vërehet se ai zgjedh me shije pikën ku vendos aparatin, që pamja, kësodore, të shpërfaqi të veçantën, që një sy i zakonshëm nuk e dallon. Mjaft, foto të Lilo Xhimitikut u shtypën edhe si kartolina, ndonëse shpesh ato e tejkalonin atë emërtim.

Ai, ka fotografuar kryesisht, me filma, por ndonjëherë në studio (dyqan) ka përdorur edhe teknologjinë me pllaka xhami, veçanërisht në vitet e para të veprimtarisë për popullatën. Po ashtu, kujtojmë se fotografitë e tij janë bardhë e zi, por edhe në sepje, ndonëse jo shpesh. Lilo Xhimitiku, ndihmoi me përvojën e tij, rreth viteve ’60 e ’70-të, në hapjen e sektorëve të fotografisë (në ndërmarrjet komunale) në Përmet, Lushnje, Fier, Çorovodë, Gramsh, por sidomos duhet theksuar se në vitet 1956-‘57, ai ndërmori nismën për ngritjen e grupit të fotografëve të vegjël, pranë Shtëpisë së Pionierit të qytetit.

Ndër fotot dokumentare, tashmë me vlera shumë të mëdha historike të Xhimitikut, është dhe ajo që titullohet shkurt, “Berat, 1936”. Në atë vit, u zhvendosën për në vendlindjet e tyre, eshtrat e atdhetarëve Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli, të vrarë pabesisht nga shovinistë malazezë në rrethinat e Shkodrës më 1915. Rrugës prej qytetit verior deri në Gjirokastër, kortezhi me arkmortet, bëri dhe një ndalesë në Berat, ku iu rezervua një nderim i merituar në Bashki. Populli i qytetit, me homazhet e shumta ndaj dy dëshmorëve të shqiptarizmës, shpërfaqi, përveç frymës atdhetare dhe civilizimin e tij karakteristik. Çastin e përcjelljes së arkmorteve nga Bashkia, ka përngrirë Xhimitiku në fotografinë që shqyrtojmë, por edhe në disa foto të tjera deri sa kortezhi doli nga qyteti. Mendojmë se kjo foto flet për atdhedashurinë dhe qytetarinë e Beratit, shumë më tepër se mjaft fjalime e deklarata.

Studimi dhe analiza e veprës së Xhimitikut, bëhet duke shikuar me vëmendje fotografitë që kanë mbërritur në ditët tona, që me llogaritje të përafërta, përbëjnë rreth 10% të gjithë krijimtarisë së tij. Numër frikshëm, i vogël. Kjo për shkak të tri fatkeqësive të rënda që kanë pllakosur fondin e tij. Së pari, më 13 shtator 1944, i u dogj shtëpia në Goricë, bashkë me arkivin, e dyta, stuhia i shkatërron, në shkurt 1954, studion dhe, e treta, vërshimet e lumit Osum, më 1962, përmbytin arkivin dhe ateljen, shkatërrojnë aparatet dhe pajisjet e stampimit, foto dhe letër e papërdorur, kimikate etj, duke i shkaktuar humbje kolosale të pariparueshme (Gazeta “Tema” – “Francezët sjellin “Marubin” beratas” – nga Abedin Kaja e Xhovani Shyti-03.7.2007)).

Këtyre, duhet tu shtohen edhe shumë foto të zhdukura nga vet Lilo Xhimitiku, me persona e ngjarje të papëlqyeshme për regjimin, nga frika se mund të shërbenin si “corpus delicti” për persekutim. Shumë foto me karakter politik, si vizita personalitetesh shtetërore të Lilos, janë botuar vazhdimisht në shtyp, por pa emër autori. Po ashtu, vërejmë se ai ka realizuar edhe mjaft portrete interesante të njohurish në mjediset e tyre familjare, duke përjetësuar në letrën fotografike psikologjinë e tyre. Edhe në këto shkrepje, atij nuk i pëlqejnë kontrastet e forta.

Ilia Xhimitiku, u mësoi mjeshtërinë e fotografimit edhe dy djemve të tij, që fotografuan gjatë, por pa arritur nivelin e të atit. Dhjetë vjet pas daljes në pension, Ilia Xhimitiku, fotografi simbol i Beratit, shuhet në shtëpinë e tij në lagjen “Goricë”, në vitin 1977. Përcjellja plotë nderime për në banesën e fundit, tregoi për respektin dhe dashurinë e bashkëqytetarëve për të.

Një pjesë e madhe e krijimtarisë së Ilia Xhimitikut, kemi bindjen e plotë se ndodhet në familjet e vjetra beratase, që në një të ardhme jo të largët, mund të mblidhen nga “Galeria Lear” e qytetit, që gjithsesi, nuk duhet qortuar për mungesë veprimtarish. Kjo do përbënte një detyrë për t’i dhënë Ilia Xhimitikut, vendin e nderuar që i takon jo vetëm në historinë e Beratit, por dhe në atë të fotografisë shqiptare e, vepra e tij do shpërfaqej me të gjitha vlerat e saj. /Memorie.al

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme