Kronika 6 Qershor 2025, 16:02 Nga VNA

Ekzekutimi i Sancos, Adriatik Kalemi pakt vëllazërie me vrasësit e biznesmenit Edmond Papa... Detajet e dosjes

Ndaje në Whatsapp
Ekzekutimi i Sancos, Adriatik Kalemi pakt vëllazërie me vrasësit

Adriatik Kalemi, kushëri i Aleksandër Sadikajt (i njohur si Sanco), lidhi një pakt vëllazërie me Andrew Boden, i cili akuzohet nga prokuroria si ekzekutori i biznesmenit Edmond Papa, i vrarë mbrëmjen e 16 dhjetorit 2022 në Tiranë.

Ky pakt u lidh më 27 nëntor 2022, tri javë përpara se Papa të ekzekutohej në një lokal në zonën e Kodrës së Diellit, në kryeqytet. Në një video të sekuestruar nga prokuroria, Kalemi dhe Boden, bashkë me një tjetër pjesëtar të familjes Kalemi, shfaqen duke pirë gjak nga gishtërinjtë e njëri-tjetrit — si simbol i një lidhjeje vëllazërore.

Videoja u zbulua në celularin e Albano Velos, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Papës. Ky fakt pasqyrohet edhe në pretencën e firmosur nga prokurori Albert Kulici, i cili kërkoi dënimin e Andrew Boden me 30 vite burgim dhe të Albano Velos me 25 vite burg. Të dy akuzohen për “vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.

Pakti i vëllazërisë

Në dokumentin e prokurorisë sqarohet me detaje lidhja e ngushtë shoqërore mes Adriatik Kalemit, kushëri i Aleksandër Sadikajt — ky i fundit i ekzekutuar më 11 qershor 2022 pranë rrethrrotullimit të TEG — dhe dy të pandehurve, Boden dhe Velos.

“Lidhja mes tyre është provuar jo vetëm nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë apo profileve në Facebook të Velos dhe Adriatik Kalemit, si dhe të faqes së lokalit Fans of Las Palmas, por edhe nga të dhënat e sistemit TIMS”, thekson prokuroria.

Gjithashtu, në celularin e Velos janë zbuluar foto dhe video që dëshmojnë për afërsinë e tyre. Një video e datës 27 nëntor 2022 i tregon Andrew Boden, Adriatik Kalemin dhe Artur Kalemin duke kryer ritin e pirjes së gjakut në gishtërinjtë e njëri-tjetrit.

Një tjetër video e datës 13 nëntor 2022 tregon Boden dhe Kalemin duke mbajtur në dorë një armë zjarri.

Prokuroria thekson se të pandehurit kishin kontakte të vazhdueshme me Adriatik Kalemin dhe frekuentonin vendet ku ai ushtronte aktivitetin e tij. Pas arrestimit, Albano Velo tentoi të mohonte lidhjen me Boden, por analiza e celularit të tij zbuloi foto të shumta së bashku, si dhe një foto të Edmond Papës, të cilin Velo pretendonte se nuk e njihte.

Si u vëzhgua viktima

Hetimet treguan se vrasja e Edmond Papës ishte organizuar deri në detaje. Boden dhe Velo e kishin ndjekur atë për disa ditë me radhë.

Sipas pamjeve të kamerave përgjatë aksit Fier-Lushnjë dhe Fier-Tiranë, automjeti i viktimës dhe automjeti Audi i përdorur nga Velo u konstatuan duke ndjekur të njëjtin itinerar në datat 7, 8, 9 dhe 16 dhjetor 2022.

Prokuroria thekson se dy të pandehurit e kishin ndjekur Papën në lokalet që ai frekuentonte. Më 29 nëntor 2022, dy persona të dyshimtë me kapuç janë parë duke lëvizur në mënyrë të dyshimtë pranë një restoranti ku Papa ishte klient.

Andrew Boden kishte marrë dy automjete me qira për të ndjekur Papën, ndërsa ditën e ngjarjes përdori një tjetër automjet me qira. Albano Velo përdori të njëjtin Audi A4 gjatë fazës së vëzhgimit dhe ditën e vrasjes, duke ndryshuar targat e automjetit.

“Vizitat” në bizneset e Kalemit

Pas vrasjes, Boden u largua në zonën e Astirit dhe shkoi në një lokal në pronësi të Adriatik Kalemit. Itinerari i ndjekur prej tij, sipas prokurorisë, tregon edhe motivin e krimit. Lëvizjet e tij u dokumentuan nga kamerat e sigurisë dhe dëshmia e një taksisti që e kishte transportuar nga Astiri drejt Kodrës së Diellit.

Saga e përplasjes

Ngjarja lidhet me një zinxhir hakmarrjesh mes grupeve kriminale. Aleksandër Sadikaj u vra më 11 qershor 2022 në afërsi të TEG, me shpërthim tritoli në automjetin e tij. Ai kishte qëndruar pak ditë më parë në hotelin Blu Sky në Sarandë, në pronësi të Kristo Qiricit, vëllai i Edmond Papës.

Pas vrasjes së Papës më 16 dhjetor 2022, saga e hakmarrjeve vijoi. Në verën e 2023, Adriatik Kalemi i mbijetoi një atentati mafioz në një ishull në Greqi.

Zamir Kalemi, vëllai i Adriatikut, u plagos në një tjetër atentat në Tiranë, pak pasi kishte vizituar të vëllain në një spital privat.

Kulmi i përplasjes ndodhi më 21 korrik 2024, kur në Memaliaj u ekzekutua babai i tyre, Shyqyri Kalemi, 70 vjeç, në lokalin e familjes. Në atentat mbetën të vrarë edhe kamarieri Gledian Muka dhe klienti Marsel Cela, të dy të pafajshëm dhe pa lidhje me sagën e hakmarrjes.

Video

Një protestë kundër Shteteve të Bashkuara u zhvillua në Iran, ku një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte veprimi i disa fëmijëve që dogjën fanella të futbollistit të njohur Lionel Messi. Zemërimi u nxit nga ngjarjet e 5 marsit, kur lojtarët e klubit Inter Miami CF u ftuan në Shtëpia e Bardhë si fitues të MLS Cup. Lionel Messi dhe shokët e tij të skuadrës duartrokitën presidentin amerikan Donald Trump teksa ai po fliste për një operacion ushtarak në Lindjen e Mesme. Ky moment shkaktoi reagime të forta dhe një valë kritikash nga tifozë dhe përdorues të rrjeteve sociale.

Ju flet Tirana… po japim lajmet e antikorrupsionit në QSUT.

Ju flet Evis Sala për dhunën ndaj grave në hapësirën digjitale… e sigurt që nuk e ka parë konferencën e djeshme të shefit te madh

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bagdad është goditur nga një dron ose raketë, sipas një zyrtari të sigurisë irakiane. Sulmi ndodhi pak pasi dy militantë të mbështetur nga Irani u vranë në një bastisje në kryeqytetin irakian. Është hera e dytë që ambasada amerikane sulmohet që nga fillimi i luftës Izrael-SHBA kundër Iranit. Sulmet janë marrë përsipër nga grupe të armatosura pro-iraniane në Irak, të cilat prej ditësh po godasin me dronë dhe raketa bazat amerikane në rajon.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme