Politika 26 September 2024, 19:00 Nga VNA

Salianji në pranga/ Vendimi i gjykatës mes akuzave për hakmarrje politike dhe standarti i dyfishtë i deputetëve opozitarë

Ndaje në Whatsapp
Salianji në pranga/ Vendimi i gjykatës mes akuzave për hakmarrje

Ervin Salianji ka qenë një nga denoncuesit më të zëshëm të PD-së për çështjen e kanabisit gjatë kohës kur Saimir Tahiri drejtonte Ministrinë e Brendshme. Aktivitetin e tij e vazhdoi duke denoncuar përfshirjen e vëllait të ministrit pasardhës, Fatmir Xhafaj, në trafiqe të paligjshme. Kjo betejë bëri që Agron Xhafaj të dorëzohej tek autoritetet italiane për të vuajtur dënimin e plotë të dhënë nga Gjykata e Kasacionit në Itali. Gjatë kësaj periudhe, Salianji publikoi një audio ku një person i identifikuar si “Babale” fliste dhe kryente tregti të paligjshme narkotikësh me vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron (Geron) Xhafaj. Më vonë, personi deklaroi se kishte falsifikuar bisedën dhe nuk kishte folur kurrë me vëllain e ministrit për trafiqe. Ky ishte momenti që shënoi nisjen e problemeve për Ervin Salianjin, të cilat kulmuan me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit.

Burime nga VNA konfirmojnë se në vendimin për deputetin demokrat, treshja e gjyqtarëve ka qenë unanime. Vetë Salianji dhe deputetë të tjerë të PD-së nxituan të akuzonin treshen e gjyqtarëve për varësi politike. Edhe pse dy prej tyre, Iliba Bezat dhe Elona Toro, janë të njëjtat që vetëm pak muaj më parë vendosën t’i rikthenin vulën dhe simbolet e PD-së Sali Berishës. Asokohe, asnjë zyrtar i PD-së nuk sulmoi gjyqtaret, por përshëndeti vendimin. Megjithatë, sulmet ndaj gjyqtarëve janë bërë tashmë një praktikë e zakonshme e opozitës, pavarësisht se standardi nuk ruhet dhe veprohet me seleksionim.

Ajo që pritet të ndodhë pas vendimit të Gjykatës së Apelit është mbledhja e Komisionit të Mandateve dhe votimi për heqjen e imunitetit për deputetin demokrat. Me gjasë, vendimi do të apelohet në Gjykatën e Lartë, por afatet e shqyrtimit nuk lënë hapësirë që Salianji të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë, për sa i përket asaj që pritet të ndodhë këto ditë, Kushtetuta thotë qartë se “deputetit … nuk mund t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme … pa autorizimin e Kuvendit.” Megjithatë, nuk mungojnë zërat se vendimi mund të zbatohet edhe pa ndjekur këtë rrugë të përcaktuar nga ligji, për shkak se po Kushtetuta thotë se “mandati i deputetit mbaron kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi,” duke pranuar arsyetimin se tashmë vendimi i dënimit i Gjykatës së Apelit është i formës së prerë dhe ka sjellë si pasojë edhe humbjen e mandatit si deputet.

E njëjta situatë pritet të ndodhë edhe në Elbasan, ku Ervin Salianji është zgjedhur si drejtues politik. Menjëherë pas shpalljes së vendimit në dyert e Gjykatës së Apelit, Salianji deklaroi se do të vazhdojë të drejtojë qoftë edhe nga burgu, por me gjasë, kryesia e PD-së do të vendosë që dikush tjetër të marrë frenat e një qarku të madh dhe të rëndësishëm si Elbasani. Në kushtet kur edhe Berisha ndodhet në arrest shtëpie, demokratët nuk e kanë luksin të humbasin terren në përballjen me mazhorancën në zgjedhjet e ardhshme.

Precedenti Salianji dhe vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit shënon padyshim një zhvillim të ri në politikën shqiptare. Edhe pse në shumicën e rasteve denoncimet e deputetit demokrat kanë qenë të vërteta dhe të adresuara saktësisht, gabimi për të shtuar dozën e denoncimit me dëshmi të pavërteta e ka rënduar qartazi pozicionin e tij përpara drejtësisë. Gjykatat e të gjitha juridiksioneve e kanë marrë vendimin duke iu referuar ligjit për dëshmi të rreme pa u përfshirë në dinamikën e ngjarjes, çka në fakt nuk e fajëson drejtpërdrejt atë për vendimmarrjen. Në kushtet e një qeverie të mbytur në akte korruptive, ndoshta do të mjaftonin vetëm të vërtetat për të bërë denoncimin siç duhet. Teprimet për protagonizëm të shtuar dhe personale janë pika e dobët që Edi Rama përdor për të zhvlerësuar akuzat e drejta të kundërshtarëve të tij politikë. Ndaj, e vërteta e thënë troç dhe pa teprime, pa falsifikime dhe pa doza të shtuara protagonizmi do të ishte mënyra më e mirë për të bërë opozitë dhe për të mos përfunduar si kavie në laboratorin e drejtësisë, ku Rama padyshim ka influencën e tij.

Video

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Aksidentet rrugore në rritje, siguria në shkolla fillon nga siguria në rrugë

“Pse nuk takon qytetarët, por administratën?” Rama mbyll takimin me qytetarët por qytetarët që kërkuan t’i flisnin përfunduan në polici. Video: Disidentët

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme