Opinion 4 Tetor 2024, 08:43 Nga VNA

Faji nuk është i çmimit, por i shërbimit

Ndaje në Whatsapp
Faji nuk është i çmimit, por i shërbimit

U bënë gati 10 vjet që për herë të parë nisi të thuhej “kemi punë, por nuk kemi profesionistë.”

Ulje-ngritjet e turizmit në Shqipëri për vitet e fundit janë të forta. Numrat e turistëve dhe kurioziteti për të zbuluar vendin tonë rriten. Dhe bashkë me numrat rriten edhe nevojat për të përmirësuar performancën e sektorit të hoteleri-turizmit. Komuniteti i këtij biznesi në fakt arriti që pa ndonjë ndihmë ekstra ta ngrejë këtë industri të re në vendin e parë të të ardhurave nga biznesi në vend. Por politikat qendrore dhe vendore, që do të duhet të ecnin paralelisht me hapat e biznesit, duken qartë që janë ende shumë mbrapa dhe pa vizion.

Nëse para 10 vjetësh si sektor nisëm të hasnim me nevojën për profesionistë në sektorin e turizmit dhe po ashtu në të gjitha drejtimet e tjera që përfitojnë nga ky sektor, pushteti qendror do të duhej të reagonte në mënyrë më aktive. Së pari, me hapjen e shkollave profesionale kudo në qytetet ku ka më shumë turistë. Në Shkodër, në Lezhë, në Fier, Vlorë, Sarandë e kudo gjen të rinj që mundohen për një 5 me hatër në Kimi apo në Fizikë, ndërkohë që do të ishte më interesante por dhe më frytdhënëse të mësonin një profesion. Në këtë mënyrë, do të ishin produktivë për veten dhe familjen por dhe më të dobishëm për komunitetin ku jetojnë. Roli i profesionistëve, ashtu si në çdo sektor, është shumë i rëndësishëm për standardin dhe cilësinë e shërbimit.

Në këtë kontekst, edhe subjektet që ofrojnë këtë shërbim duhet ta kenë të detyruar me bazë ligjore, punësimin e stafit të kualifikuar. Nëse i referohemi shifrave gjithmonë në rritje, në pikun e sezonit, pra në muajin gusht, kanë hyrë afërsisht 1 milion turistë në 1 muaj. Po të shtojmë edhe pushuesit vendas, ky numër rritet edhe më shumë pasi thuajse e gjithë administrata dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve pushojnë në këtë muaj së bashku me familjet e tyre. Strukturat akomoduese sa vijnë dhe shtohen. Por a mjaftojnë ato për këtë numër pushuesish? Mos vallë duhet menduar për kapacitete të reja dhe mundësi alternative? Këta qytetarë që pushojnë në gusht nuk kanë vetëm nevojë të flenë. Ata kanë nevojë të lëvizin, të ushqehen, të konsumojnë ushqim dhe të përdorin tualetet. Gjithashtu kanë nevojë të frekuentojnë plazhet apo destinacionet e tjera turistike. A kemi ne një planifikim urban për kapacitetet e plazheve, për infrastrukturën, për furnizimin me ujë dhe kanalizimet e ujërave të zeza për përballimin e fluksit në raport me shtretërit?

Realiteti i sotëm dëshmon që shumë gjëra nuk janë si duhet të jenë për të përballuar fluksin në rritje të pushuesve. Shërbimi është i pakualifikuar, deti është i ndotur kudo, aksesi për personat me aftësi ndryshe nuk gjendet thuajse në asnjë plazh. Ndërkohë, i vetmi koeficient i pandryshueshëm në këtë situatë me dinamikë në rritje është çmimi, i cili nuk justifikon shërbimin.

Krenaria e shifrave të sotme mund të kthehet në boomerang në një të ardhme të afërt. Sa më shumë njerëz të pakënaqur, sa më shumë “review” negative, aq më lart shkon dhe kurba anti-reklamë për vendin.

Për ta shpjeguar më thjesht, le të marrim si shembull shërbimin në restorant, në hotele dhe stacione plazhi. Të gjithë kanë nevojë të ushqehen dhe pjesa më e madhe i drejtohen restoranteve. Dhe po të marrim në konsideratë shifrat, pra 1 milion turistë plus një numër të lartë pushuesish vendas në 1 muaj, kemi thuajse 2 milionë njerëz që duhet të ushqehen. Natyrisht jo të gjithë në restorant, le të themi se më shumë se gjysma e tyre po. Për një shërbim low cost, nevojitet 1 kamarier për 25 persona, për një shërbim mesatar 1 për 15 dhe ai i klasit, 1 për 4. Po të marrim mesataren, për të mos pranuar që po ofrojmë shërbim low cost, për 1.5 milion njerëz, për një qëndrim 3-4 ditor, do të ishin rreth 150.000 - 200.000 frekuentues në ditë. Vetëm kamarierë në bregdet do të na duheshin rreth 10.000 në turnin e drekës dhe 10.000 në darkë. Pra 20.000+ vetëm në restorant, dhe po flasim për kamarierë profesionistë. Sepse të tillë duhet ta kemi shërbimin për një vend që është në boom-in e tij turistik. Bashkë me kamarierin duhet edhe kuzhinieri, ndihmësi, sanitari, recepsionisti, shërbimet mbështetëse etj. Dhe të gjitha këto të kalkuluara sipas fluksit ditor. Është elementare që këto shifra dhe ato të perspektivës të kthehen në një program të detajuar për t’i orientuar financat publike dhe projektet e huaja në hapjen e sa më shumë qendrave profesionale me kurikula të standardizuara. Pasi jemi një vend ku kurikulat e qendrave të arsimit profesional jo shtetërore nuk janë të standardizuara.

Gjithashtu, së bashku me investimet strategjike, dikush nga qeverisja vendore duhet të kuptojë se zhvillimi kërkon shërbim. Dhe shërbimin e japin njerëzit, të cilët kanë nevojë të strehohen pranë investimeve strategjike që po shtohen. Ndërtimi i banesave sociale thuajse nuk ekziston, duke vënë në vështirësi të gjithë sektorin e turizmit nga veriu në jug. Nëse do të kishim banesa sociale në zonat e frekuentuara turistike, fuqia punëtore që jeton në zonat e thella të vendit dhe që nuk është e pakët dhe e papunë, do të kishte një vend ku të transferohej dhe do ta kishte më të lehtë të përballonte koston e qirasë. Ndërkohë, do të punonte në strukturat turistike që janë të etura për staf. Problematika e strehimit të stafit në të gjithë sektorin është emergjente. Ato pak banesa që janë në bregdet po ezaurohen nga turistët, dhe në pikun e sezonit, bizneset përballen me stresin dhe presionin e nxjerrjes së stafit në rrugë, ose në të kundërt, duhet t’i përgjigjen qirave të larta që u kërkohen. Kosto që patjetër më pas reflektohet tek rritja e çmimeve tek klienti fundor.

Turizmi e ka një histori. Vende të tjera para nesh dhe që kanë gjeografi të ngjashme i kanë kaluar këto problematika. Na mjafton thjesht të marrim shembull nga gabimet e tyre për të fituar në kohë.

Nga Erdit Gega

 

Video

Batuta e Mbretit Charles ndaj Trump: Mos të ishim ne ju do flisnit frëngjisht

Detaje tronditëse lajmesh kanë dalë në dritë mbi dënimet ekstreme të dhëna në Korenë e Veriut, duke përfshirë të burgosur të rrahur për vdekje me çekiç, një grua shtatzënë të ekzekutuar dhe një menaxher ferme të qëlluar pasi zemëroi Kim Jong Un. Në disa nga rastet më tronditëse, të burgosurit u vranë në 'ekzekutime të fshehta brenda' duke përdorur armë të forta, ndërsa të arratisurit thanë se ishin dëshmitarë të të shtënave me armë të tilla ndaj të miturve pavarësisht pretendimeve zyrtare se dënime të tilla janë të ndaluara.

Kreu i SPAK, Klodian Braho pret në një takim Ministren e Drejtësisë së Austrisë

Osmani: Rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, hapen nga populli Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sot pasi Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Osmani ka thënë se “rrugët që u mbyllën nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme