Në maj të vitit 1959, nga Bruklini i Amerikës, At Vasil Dhimitri i Kishës Ortodokse Shqiptare i shkruante Enver Hoxhës për lirimin nga burgu të vëllait të tij, Ilo Dhimitër Argjendarit, një prej argjendarëve më të njohur të Korçës.
Ilo Argjendari vinte nga një familje e njohur patriotike korçare, me kontribute në jetën qytetare të Korçës. Por kishte edhe një tjetër fakt që e bën këtë letër edhe më domethënëse: Enver Hoxha e njihte mirë. E njihte që prej viteve të Liceut të Korçës, kur qyteti kishte ende atë frymën e vet të vjetër, me familje të kulturuara, zanatçinj të zotë, klerikë, mësues, tregtarë dhe patriotë që kishin ndërtuar autoritet me punë dhe emër.
Por pushteti komunist nuk kurseu as njerëzit e njohur, as familjet me kontribute, as lidhjet e hershme. Aq më pak njohu mëshirë.
Letra e At Vasil Dhimitrit, e datës 16 maj 1959, është një lutje e përmbajtur, e dhimbshme dhe njerëzore. Ai i kujton Hoxhës se kishte marrë një letër nga Korça, ku kishte mësuar se vëllai i tij, Ilo Argjendari, ndodhej në burg. E quan “një nga patriotët dhe të mirët” dhe i kërkon lirimin.
Në ato rreshta nuk ka gjuhë politike. Ka vetëm dëshpërimin e një vëllai që i drejtohet njeriut më të fuqishëm të vendit, duke shpresuar se kujtesa personale, njohja e dikurshme dhe reputacioni i një qytetari korçar mund të hapnin një derë.
“Do t’ju garantoj unë juve se vëllaj tim nukë do të bjerë më në ngatërresa”, shkruan At Vasili.
Kjo fjali tregon shumë për kohën. Njerëzit nuk kërkonin më drejtësi, sepse drejtësia ishte bërë pronë e partisë. Kërkonin mëshirë. Dhe mëshira ishte ndoshta e vetmja pjesë e karakterit që askush nuk ia njohu kurrë diktatorit shqiptar.
Enver Hoxha ndërtoi një regjim ku frika ishte më e fortë se kujtesa, ideologjia më e rëndësishme se miqësia dhe pushteti më i shtrenjtë se çdo lidhje njerëzore. Edhe ata që i kishte njohur herët, edhe ata që vinin nga qyteti i tij i formimit, edhe ata që dikur mund të kishin ndarë të njëjtat rrugë, të njëjtat ambiente, të njëjtën Korçë, mund të përfundonin në burg pa asnjë ndalim moral.
Historia e Ilo Argjendarit është pikërisht një nga ato histori që tregojnë natyrën e vërtetë të regjimit komunist. Ai nuk u mjaftua me ndëshkimin e kundërshtarëve. Goditi edhe njerëzit që nuk përbënin rrezik, por kishin emër, dinjitet, kujtesë dhe pavarësi të brendshme.
Në fund të letrës, At Vasil Dhimitri e mbyll me fjalët “Juaj me besë”.
Një formulë e vjetër shqiptare, e shkruar me dorë nga një prift në Amerikë, për një njeri që në Shqipëri kishte ngritur një shtet ku besa, miqësia dhe mëshira nuk kishin më vend.






















