Histori të harruara 26 August 2026, 18:15 Nga VNA

Nga komisionet e internimit te studiot televizive: E shkuara që Qemal Lame nuk e shpjegoi kurrë

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-08-26 at 6.14.07 PM.jpeg

Në Shqipëri, disa njerëz nuk u përballën kurrë realisht me historinë e tyre. Koha kaloi, regjimi ra, dosjet u futën në arkiva, viktimat u plakën ose ikën pa marrë drejtësi, ndërsa një pjesë e atyre që dikur ishin pjesë e aparatit të shtypjes u rikthyen qetësisht në jetën publike. Sot dalin në studio, japin mend për ligjin, flasin për drejtësinë, komentojnë hetime, gjykata e procedura, sikur e shkuara të ishte një hollësi biografike dhe jo një pjesë e errët e përgjegjësisë së tyre publike.

Një prej këtyre emrave është Qemal Lame. Në dokumentet e fundit të viteve ’80, ai nuk shfaqet si një vëzhgues anësor i sistemit, as si një nëpunës pa peshë në administratën e kohës. Ai shfaqet si kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme dhe si anëtar i Komisionit Qendror të Internimit dhe Dëbimit, një prej mekanizmave më të ftohtë të shtetit komunist, ku fati i njerëzve vendosej jo nga një gjykim i drejtë, por nga një procedurë administrative e mbështetur në logjikën e biografisë, ndëshkimit politik dhe kontrollit shoqëror.

Më 22 dhjetor 1986, Këshilli i Ministrave i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë i drejtohej zyrtarisht “shokut Qemal Lame”, në cilësinë e kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme. Në shkresën sekrete thuhej se, në bazë të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 7071, datë 15 shtator 1986, “Për internimin dhe dëbimin si masë administrative”, ai ishte caktuar anëtar i Komisionit Qendror të Internimit dhe Dëbimit. Pak rreshta të thatë, një gjuhë e zakonshme zyre, një firmë në fund të faqes. Por pas atyre fjalëve qëndronte një mekanizëm që për vite me radhë kishte shkulur njerëz nga shtëpitë, kishte dënuar familje pa gjyq dhe kishte kthyer jetën e qytetarëve në dosje.

Tre vjet më vonë, më 27 shkurt 1989, një tjetër dokument i Këshillit të Ministrave miratonte përbërjen e Komisionit Qendror të Internimit dhe Dëbimit. Në krye të tij ishte zv/kryeministri Manush Myftiu, zëvendëskryetar ishte Simon Stefani, ndërsa anëtarë figuronin Arianit Çela, kryetar i Gjykatës së Lartë, dhe Qemal Lame, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme. Kjo ishte fytyra institucionale e shtetit komunist në fundin e tij: qeveria, gjykata dhe hetuesia të ulura në të njëjtën strukturë për të administruar internimin dhe dëbimin e qytetarëve.

Dokumentet e tjera tregojnë se ky mekanizëm nuk ishte një shpikje e vonë e viteve ’80. Që në vitin 1960, Këshilli i Ministrave urdhëronte ndryshime në Komisionin e veçantë për internimet dhe dëbimet administrative. Edhe më herët, në vitin 1954, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxirrte dekret për internimin si masë administrative. Emrat në komisione mund të ndryshonin, por logjika mbetej e njëjtë: shteti kishte ngritur një sistem ku internimi nuk quhej krim, por procedurë; dëbimi nuk quhej ndëshkim politik, por masë administrative; shkatërrimi i një familjeje nuk përshkruhej si tragjedi, por si vendim.

Kjo është mizoria më e madhe e dokumenteve të komunizmit. Ato nuk bërtasin. Nuk mallkojnë. Nuk përshkruajnë dhimbjen. Ato flasin me gjuhë të pastër burokratike: nen, dekret, komision, anëtar, sekret, firmë. Por në jetën reale, kjo gjuhë përkthehej në fëmijë të damkosur, gra të hedhura në fshatra internimi, burra të marrë nga shtëpia, familje të ndara, jetë të pezulluara dhe njerëz që paguanin jo për atë që kishin bërë, por për atë që regjimi vendoste se përfaqësonin.

Prandaj emri i Qemal Lames në këto dokumente nuk mund të trajtohet si hollësi arkivore. Në një sistem ku internimi ishte instrument politik, pjesëmarrja në komisionet që e administronin atë është çështje përgjegjësie publike. Aq më tepër kur sot i njëjti emër shfaqet në ekran si komentues i drejtësisë dhe i shtetit ligjor. Pyetja nuk është vetëm çfarë mendon sot Qemal Lame për drejtësinë. Pyetja është çfarë ka thënë ndonjëherë për rolin e tij në një komision që merrej me internimin dhe dëbimin e qytetarëve.

A ka shpjeguar ndonjëherë publikisht çfarë vendimesh kalonin në atë komision? Sa familje u prekën? Si funksiononte mekanizmi? Çfarë përgjegjësie kishte Hetuesia e Përgjithshme në një strukturë që prodhonte ndëshkim pa gjyq? A ka pasur ndonjëherë një reflektim, një ndjesë, një sqarim për njerëzit që u goditën nga ai sistem?

Shqipëria nuk vuan vetëm nga krimet e komunizmit. Vuan edhe nga mungesa e përballjes me to. Nga fakti që shumë prej atyre që ishin pjesë e mekanizmave të regjimit arritën të kalojnë në tranzicion pa dhënë llogari, pa u pyetur, pa u vendosur përballë dokumenteve ku figuronin emrat e tyre. Viktimat mbetën me plagët, ndërsa funksionarët shpesh morën rolin e ekspertëve, komentatorëve dhe dëshmitarëve të autorizuar të historisë.

Lexo gjithashtu

Video

28 tonë domate dhe mijëra njerëz nga e gjithë bota! Rrugët e Buñol-it në Spanjë u kthyen në një lumë të kuq gjatë “La Tomatina”, festivalit të famshëm ku pjesëmarrësit zhvillojnë një betejë gjigante me domate. Festa që nisi nga një sherr spontan në vitin 1945 është sot një atraksion ndërkombëtar që sjell turistë nga e gjithë bota. Historia e plotë në linkun në koment⬇️

Një katastrofë e rëndë ka goditur Nepalin pranë kufirit me Tibetin, ku një masë e fuqishme uji, balte dhe shkëmbinjsh përfshiu disa zona. Autoritetet nepaleze njoftuan se deri mbrëmjen e së mërkurës janë gjetur trupat e 157 viktimave, ndërsa qindra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes të zhdukurve raportohet se janë edhe qindra turistë, shumë prej tyre shtetas të huaj. Përmbytjet kanë shkatërruar shtëpi, automjete, rrugë, ura dhe infrastrukturë tjetër në zonat e prekura. Pamjet nga vendngjarja tregojnë fuqinë e rrjedhës, e cila ka marrë përpara gjithçka që ka gjetur në rrugën e saj. Të dhënat paraprake sugjerojnë se katastrofa mund të lidhet me shembjen e një mase akulli dhe shkëmbinjsh nga një akullnajë, ndërsa autoritetet po hetojnë shkakun e saktë.

Ergys Agasi del nga ambientet e Policisë, niset drejt Bllokut të Sigurisë.

Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, për ndalimin e Ergys Agasit, kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Liqenit të Thatë. Forca të policisë po kryejnë verifikime në terren, ndërsa aksioni vijon në disa pika. Policia pritet të dalë me detaje zyrtare për ecurinë e operacionit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme