
Përshkallëzohet konflikti në Lindjen e Mesme vetëm pak orë pas takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë. Irani ndërmori sulme ndaj një baze ushtarake amerikane në Jordani dhe goditi tre anije cisternë nafte në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-ja, në bashkëpunim me Arabinë Saudite, kreu sulme ajrore ndaj objektivave të forcave aleate të Teheranit në Irak. Zhvillimet e fundit ndikuan edhe në tregjet ndërkombëtare, duke sjellë rritje të çmimit të naftës.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se kishte goditur tre anije cisternë që po kalonin në Ngushticën e Hormuzit. Sipas agjencisë iraniane Tasnim, autoritetet iraniane pretendojnë se anijet kishin shpërfillur paralajmërimet dhe kishin vijuar lundrimin në një itinerar që Teherani e konsideron të rrezikshëm dhe të paligjshëm, çka, sipas tyre, solli ndërhyrjen për t'i ndaluar.
Më herët, Irani kishte ndërmarrë edhe një sulm me raketa ndaj një baze ushtarake amerikane në Jordani, duke rritur më tej tensionet me Shtetet e Bashkuara.
Në kundërpërgjigje, SHBA-ja dhe Arabia Saudite goditën disa baza të Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), aleancë paraushtarake irakiane e mbështetur nga Irani. Sipas dy burimeve të cituara nga AFP, të paktën 20 anëtarë të kësaj force humbën jetën në sulmet ajrore, kryesisht në provincën Nineveh, ndërsa raportohet edhe për të plagosur në zona të tjera. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që bilanci i viktimave të rritet.
Përshkallëzimi i situatës u reflektua menjëherë edhe në tregjet globale të energjisë. Çmimi i naftës amerikane WTI u rrit me 3.55%, duke arritur në 82.07 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent u ngjit me 3.59%, në 87.11 dollarë për fuçi.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi "fantastik" takimin me Donald Trump në Uashington. Në një intervistë për Fox News, ai deklaroi se aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit është "si një mur graniti" dhe se të dy liderët ndajnë të njëjtin qëndrim për të mos lejuar Iranin të pajiset me armë bërthamore.
"Ne nuk duam që regjimi fanatik i Teheranit të ketë armë bërthamore për të kërcënuar amerikanët, paqen botërore dhe vetë ekzistencën e Izraelit", u shpreh Netanyahu.
Ai shtoi se SHBA-ja dhe Izraeli mbeten të vendosur për ta arritur këtë objektiv, qoftë përmes diplomacisë, qoftë përmes mjeteve të tjera.






















