Të paktën 624 ushtarë amerikanë janë plagosur që nga fillimi i konfliktit me Iranin, sipas bilancit më të fundit të publikuar nga Pentagoni. Nga të plagosurit, 417 janë regjistruar në kuadër të Operacionit “Epic Fury”, ndërsa 207 të tjerë në kategorinë “Operacionet Jashtë Shtetit”.
Pentagoni ka rishikuar gjithashtu statistikat e viktimave, duke transferuar katër ushtarë të vrarë nga Operacioni “Epic Fury” në kategorinë e re “Operacionet Jashtë Shtetit”. Si rezultat, numri i të vrarëve në operacionin kryesor është ulur nga 18 në 14.
Ndryshimet në raportim kanë ngjallur kritika për mungesë transparence. Ish-komandanti i forcave amerikane në Evropë, Ben Hodges, dhe kongresmeni republikan Thomas Massie kanë vënë në pikëpyetje mënyrën e paraqitjes së të dhënave, ndërsa Pentagoni ka deklaruar se bëhet fjalë për korrigjime teknike dhe përditësim të statistikave.
Sipas raportit, katër ushtarët e vrarë humbën jetën pas përshkallëzimit të luftimeve në korrik, ndërsa bazat amerikane në rajon u goditën për 13 net radhazi nga sulme iraniane. Megjithatë, ditët e fundit nuk janë raportuar sulme të reja nga asnjëra palë.






















