Në prill të vitit 2023, Vlora Hyseni u emërua drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit, me propozim të kryeministrit Edi Rama dhe dekret të Presidentit Bajram Begaj. Tre vjet më parë, më 25 shtator 2020, emri i vëllait të saj, Izet Hyseni, i njohur edhe si Izet Dingler, ishte publikuar nga mediat italiane mes 237 personave nën hetim nga Antimafia e Catanzaros për trafik ndërkombëtar droge, në kuadër të operacionit “Karaburun”.
Si arriti Vlora Hyseni të kalonte filtrat e sigurisë për të marrë drejtimin e shërbimit sekret shqiptar, kur emri i vëllait të saj figuronte prej vitesh në një dosje të Antimafias italiane?
Pyetja bëhet edhe më e rëndësishme pas zhvillimeve të fundit në SPAK. VNA ka mësuar se Prokuroria e Posaçme ka nisur hetim penal për Izet Hysenin, emri i të cilit ka dalë në dosjen e AKSHI-t pas një tentative transferte prej 450 mijë eurosh nga kompania “Fortis Beton” e Orest Sotës drejt kompanisë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”, e administruar prej tij. Transferta u iniciua më 26 shkurt 2024 dhe u anulua një ditë më vonë.
SPAK ka dërguar letërporosi në Gjermani dhe Kosovë për të verifikuar pasuritë, llogaritë bankare dhe marrëdhëniet financiare të Izet Hysenit dhe familjarëve të tij.
Në kohën kur emri i Dinglerit u publikua në dosjen italiane, Vlora Hyseni ishte zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Në qershor 2021, ajo u shkarkua nga kjo detyrë me vendim të Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, pa u bërë publike arsyet konkrete. Pak muaj më vonë u angazhua si këshilltare e Edi Ramës, ndërsa më 3 prill 2023 u dekretua drejtoreshë e SHISH.
Ligji nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, parashikon verifikimin e sigurisë për personat që kanë akses në sekretet shtetërore. Nenet 27 dhe 30 trajtojnë besueshmërinë dhe rreziqet e sigurisë, përfshirë cenueshmërinë ndaj presioneve apo shantazhit, ndërsa neni 32 parashikon shkëmbimin e informacionit me autoritetet homologe të huaja.
Drejtori i SHISH nuk renditet mes funksionarëve të përjashtuar nga verifikimi i sigurisë sipas nenit 28.
Përfshirja e një familjari në një hetim penal nuk përbën automatikisht pengesë për emërimin në një detyrë shtetërore. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse informacioni mbi Izet Dinglerin është administruar apo vlerësuar gjatë procedurave të sigurisë për Vlora Hysenin.
Pesë pyetje që kërkojnë përgjigje
1. AKSIK: A iu nënshtrua Vlora Hyseni verifikimit të sigurisë përpara emërimit në SHISH dhe a u kontrolluan lidhjet e saj familjare?
2. Presidenti Bajram Begaj: A iu paraqit një raport për pastërtinë e figurës dhe rreziqet e sigurisë përpara firmosjes së dekretit?
3. Kryeministri Edi Rama: A u kërkuan informacione nga Kosova dhe Italia përpara propozimit të Hysenit? A ishte Kryeministria në dijeni të dosjes italiane ku figuronte emri i vëllait të saj?
4. Agjencia e Kosovës për Inteligjencë: A dispononte AKI informacione për hetimin italian ndaj Izet Dinglerit dhe a ishin marrë ato në konsideratë gjatë kohës që motra e tij mbante funksione drejtuese?
5. SPAK: A po verifikohet nëse institucionet shqiptare të sigurisë kishin dijeni për dosjen italiane përpara emërimit të Vlora Hysenit?
Emri i Izet Dinglerit ishte publik në mediat italiane që në shtator 2020. Në prill 2023, motra e tij mori drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të inteligjencës shqiptare.
Nuk dihet nëse institucionet shqiptare kishin informacion për këtë dosje dhe nëse e morën në konsideratë gjatë emërimit.
Por kush e verifikoi figurën e Vlora Hysenit? Dhe nëse informacioni ishte publik prej tre vitesh, si është e mundur që nuk ka asnjë shpjegim institucional nëse ai u administrua apo jo?






















