Sociale 2025-10-21 07:47:00 Nga VNA

RCC: Startup-et, Shqipëria ngec në garën rajonale

Ndaje në Whatsapp
RCC: Startup-et, Shqipëria ngec në garën rajonale

Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, zhvillimi i startup-eve në Shqipëri është ende në një fazë të hershme, vë në dukje raporti “The Western Balkans Start-up Ecosystem at a Crossroads” i realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Studimi thekson se Shqipëria ka filluar të krijojë bazat institucionale dhe ligjore për të ndërtuar një ekosistem të qëndrueshëm inovacioni, por performanca e saj mbetet më e ulët krahasuar me fqinjët si Serbia apo Maqedonia e Veriut.

Sipas studimit, Serbia është ekosistemi më i avancuar, me infrastrukturë të konsoliduar, fonde kombëtare dhe një rrjet inovacioni që përfshin më shumë se 20 qendra bashkëpunimi.

Nga ana tjetër, Kosova po fiton terren me investime të konsiderueshme në FinTech dhe AgriTech, ndërsa Maqedonia e Veriut ka avantazhin e përvojës institucionale përmes fondit FITD dhe partneriteteve ndërkombëtare.
Bosnja dhe Mali i Zi mbeten prapa për shkak të mungesës së strategjive të koordinuara dhe mbështetjes financiare të qëndrueshme. Shqipëria, në këtë kontekst, qëndron në mes, pasi ka bërë përpara në reforma ligjore dhe dixhitalizim, por ende prapa në rezultate konkrete të financimeve, densitet të ulët të startup-eve dhe mungesë të historive të suksesshme ndërkombëtare.

Studimi e vlerëson Shqipërinë si një rast me potencial të lartë të pashfrytëzuar, por që ende ka nevojë për rritjen e fondeve, politika më koherente dhe lidhje më të forta me universitetet dhe diasporën për të kaluar nga faza e eksperimentimit në një ekosistem të qëndrueshëm rajonal të inovacionit. Në këtë drejtim, Shqipëria ndodhet në një situatë të ngjashme me Bosnjën dhe Malin e Zi, ndërsa Serbia dhe Kosova kanë arritur të tërheqin investime shumë më të mëdha nga fondet ndërkombëtare.

Ndryshe nga Serbia, që ka ndërtuar një strategji të plotë për inteligjencën artificiale dhe një rrjet parqesh teknologjike, apo Kosova që në 2024 arriti një rekord prej 50 milionë euro financime për startup-e, Shqipëria ka pasur më pak dinamizëm në tregjet ndërkombëtare dhe mungon në listën e qyteteve kryesore inovative të Europës Lindore. Tirana ende nuk renditet në top 1,000 qytetet globale për startup-e, ndryshe nga Beogradi apo Shkupi që janë të përfshira.
Në aspektin arsimor dhe njerëzor, Shqipëria përballet me të njëjtën sfidë si i gjithë rajoni, “ikjen e trurit”. Një pjesë e madhe e të rinjve të talentuar emigrojnë, duke krijuar mungesë të ekspertizës në inovacion, kërkim shkencor dhe menaxhim biznesi.

Indeksi global për ekosistemet e startup-eve, Shqipëria me rënie të madhe në 2025

Indeksi i vitit 2025 për ekosistemet e startup-eve në vendet e Ballkanit Perëndimor e renditi Shqipërinë në vendin e 83-të në rang botëror, por me një rënie të dukshme të aktivitetit prej -19.1%. Kjo do të thotë se ekosistemi vendas i startup-eve është tkurrur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Për më tepër, Tirana nuk renditet mes 1,000 qyteteve më të mira në botë për zhvillimin e startup-eve, çka tregon për mungesë të theksuar të konkurrueshmërisë rajonale dhe ndërkombëtare.
Ndryshe nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina ka njohur një përmirësim të lehtë me një rritje prej 5%, duke u pozicionuar e 91-ta në botë dhe e 23-ta në rajonin e Europës Lindore. Dy qendrat kryesore të këtij vendi, Sarajeva dhe Banja Luka, kanë arritur të futen në renditjen globale të qyteteve, me Sarajeven në vendin e 769-të.

Kosova është renditur e 97-ta në botë dhe e 24-ta në rajonin e Europës Lindore, me një ecuri të qëndrueshme të ekosistemit (më pak se 5% rritje), ndërsa Prishtina nuk ka një renditje të specifikuar mes qyteteve globale.

Mali i Zi nuk përfshihet në 100 vendet e para botërore dhe nuk ka qytete të renditura ndër 1,000 më të mirët, duke reflektuar një mungesë të dukshme zhvillimi në këtë fushë.
Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut renditet e 78-ta në botë dhe e 19-ta në rajon, por me një tendencë rënieje prej më pak se 2%. Megjithatë, kryeqyteti Shkupi mban një pozicion të qëndrueshëm në vendin e 552-të globalisht.

Serbia mbetet liderja e rajonit, duke u renditur e 56-ta në botë, megjithëse ka pësuar një rënie të lehtë prej 1.5%. Beogradi është ndër qytetet më të zhvilluara të rajonit në këtë fushë, në vendin e 197-të, pasuar nga Novi Sadi në vendin e 502-të dhe Nishi në të 908-in.

Ka një hendek të qartë mes Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, teksa Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të forcojnë ndjeshëm politikat për inovacion dhe mbështetje ndaj startup-eve në mënyrë që të mos mbeten pas në garën globale./ Monitor

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news