
Nga New Yorku, Edi Rama u dha shqiptarëve një leksion për korrupsionin. Sipas kryeministrit, ajo që në Shqipëri shihet si problem, nga partnerët europianë shihet si sukses.
“Është e çuditshme që shqiptarët, ajo çfarë shqiptarët e shohin si problem, partnerët europianë e shohin si sukses. Pyetja është: a mund të ketë një vend më shumë korrupsion kur korrupsioni luftohet çdo ditë? Kur lufta kundër korrupsionit ndodh çdo ditë? Jo, nuk mund të ketë”, tha Rama.
Vetëm se SPAK, duke e hetuar, nuk po zbulon thjesht disa zyrtarë që kanë futur dorën në arkën e shtetit. Dosjet po tregojnë diçka shumë më të rëndë për vetë shtetin që Rama drejton prej 13 vitesh.
Ato tregojnë edhe thellësinë në të cilën korrupsioni dhe lidhjet e dyshuara kriminale kanë depërtuar në institucionet shtetërore. Dhe pikërisht këtu rrëfimi i qeverisë për “suksesin” fillon të çalojë, sepse ndërsa SPAK heton, qeveria jo rrallë është akuzuar se ka ngritur mburojë për njerëzit e vet kur hetimet kanë mbërritur shumë pranë tij.
Mjafton të shohësh çfarë ndodhi me SHISH-in. Institucioni që duhet të dijë sekretet e të tjerëve përfundoi vetë në një dosje të SPAK-ut. Vlora Hyseni, gruaja që drejtonte shërbimin sekret, u vendos nën masë sigurie nën dyshimin se i kishte kaluar informacion sekret Ergys Agasit. Dhe Agasi nuk ishte një qytetar që kërkonte ndonjë informacion në sportel. Ishte njeri në kërkim nga drejtësia.
Këtu ironia ia lë vendin absurdit. Një i kërkuar që shteti duhej ta kapte dyshohet se merrte informacion nga maja e një institucioni të po atij shteti. Për muaj me radhë Agasi qëndroi në arrati, ndërsa ndihmohej nga strukturat shtetërore që duhej ta arrestonin. Me dosjen e Hysenit, pyetja bëhet edhe më e rëndë, sa i arratisur ishte në të vërtetë një njeri që dyshohet se kishte akses kaq pranë kupolës së shtetit?
Ndërkohë SPAK vazhdon të gërmojë edhe te Belinda Balluku dhe bashkë me dosjen vazhdojnë të shfaqen vila e pasuri që prokuroria dyshon se lidhen me të. Por këtu entuziazmi i mazhorancës për “drejtësinë që po punon” ftohet ndjeshëm. Kur SPAK kërkoi autorizim për arrestimin e Ballukut, shumica socialiste në Kuvend e rrëzoi kërkesën. Drejtësia le të hetojë, duket se është parimi, por kur hetimi afrohet shumë te dera e pushtetit, dera politike nuk hapet aq lehtë.
Këtu nuk bëhet më fjalë për individë të veçuar që rrapëllijnë në errësirë, por për përgjegjësinë politike të një ekzekutivi që pasi ka kontrolluar çdo qeli të administratës, kërkon t'i shesë skandalet e veta si stela fitoreje.
Po, korrupsioni po goditet, por atë po e godet SPAK-u, jo vullneti i qeverisë. Dhe sa më shumë SPAK hap pusetën, aq më pak pyetja është nëse drejtësia po funksionon. Pyetja është se si, pas 13 vitesh qeverisje të Edi Ramës, njerëz të lidhur me pushtetin, ministra, kryebashkiakë e deri te drejtuesja e shërbimit sekret kanë përfunduar nën akuza apo hetime për korrupsion, abuzim me detyrën dhe veprimtari të tjera të dyshuara kriminale.
Nga New Yorku, Rama sheh suksesin e luftës kundër korrupsionit. Nga Tirana, shqiptarët po shohin se çfarë po del nga zyrat e një shteti të kalbur në korrupsion nga koka tek këmbët.






















