
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend projektligjin e saj për Reformën Administrativo-Territoriale, duke propozuar që Shqipëria të ndahet në 100 bashki dhe 12 qarqe.
Propozimi i opozitës parashikon rritjen e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 100, me argumentin se një ndarje e tillë do të decentralizonte shërbimet dhe do t’i afronte ato më shumë me qytetarët.
Sipas PD-së, projekti është hartuar mbi bazën e konsultimeve të zhvilluara me qytetarët dhe synon një organizim territorial që, sipas saj, reflekton më mirë nevojat e komuniteteve lokale.
Nisma e demokratëve vjen në një kohë kur reforma territoriale është kthyer në një nga çështjet kryesore të debatit politik. Mazhoranca socialiste ka propozuar një model të ndryshëm, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke ruajtur 12 qarqet.
Dy palët kanë shfaqur qëndrime të kundërta edhe për mënyrën se si duhet të procedohet me reformën. PD ka kërkuar që ndryshimet të mos miratohen pa përfunduar konsultimet publike dhe pa konsensus politik, ndërsa mazhoranca ka vijuar procedurat parlamentare për projektin e saj.
Reforma pritet të vijojë të jetë objekt debatesh në Kuvend, ku tashmë mazhoranca dhe opozita kanë paraqitur dy modele të ndryshme për organizimin e ri administrativo-territorial të vendit.





















