Politika 2026-09-25 08:03:36 Nga VNA

Ndalimi i Ilirjana Nanos për KQZ-në, debati zhvendoset te statusi i saj si nëpunëse civile e nivelit të lartë

Ndaje në Whatsapp
Ndalimi i Ilirjana Nanos për KQZ-në, debati zhvendoset te statusi i

Çështja e Ilirjana Nanos dhe mandatit të saj në Komisionin Rregullator të KQZ-së merr një tjetër dimension ligjor. Debati nuk lidhet vetëm me faktin nëse Këshilli i Lartë i Prokurorisë është apo jo pjesë e pushtetit ekzekutiv, por me statusin që Nano ka pasur si “nëpunëse civile e nivelit të lartë”.

Nano është Sekretare e Përgjithshme e KLP-së, funksion që kërkon pikërisht këtë kategori statusi në administratën publike. Sipas këtij arsyetimi, ndalimi i parashikuar në Kodin Zgjedhor për nëpunësit civilë të nivelit të lartë nuk ka lidhje vetëm me institucionin ku ushtron detyrën, por me vetë statusin e zyrtarit.

Pyetja kryesore është nëse ndalimi vlen vetëm në momentin e kandidimit, apo edhe për ushtrimin e mëvonshëm të mandatit. Argumenti është se kandidimi bëhet për t’u kualifikuar dhe për të fituar postin, ndaj procedura duhet të zhvillohet mes kandidatësh që janë të vlefshëm që në nisje për atë funksion.

Edhe ILDKPKI, në përgjigjen e saj, pranon në mënyrë indirekte ekzistencën e këtij ndalimi, kur argumenton se në momentin e kandidimit Nano nuk ishte duke ushtruar detyrën e Sekretares së Përgjithshme të KLP-së. Por pikërisht këtu ngrihet kundërshtimi: ndalimi nuk lidhet vetëm me ushtrimin faktik të detyrës në KLP, por me statusin si nëpunëse civile e nivelit të lartë.

Në kohën kur kandidonte për KQZ-në, Nano nuk e kishte humbur këtë status. Përkundrazi, ajo po e mbronte atë në gjykatë, përmes një konflikti gjyqësor kundër vendimit të largimit nga detyra si Sekretare e Përgjithshme e KLP-së.

Fakti që gjykata më pas e riktheu në detyrë dhe i njohu pagat e prapambetura për periudhën e largimit, përdoret si argument se statusi dhe lidhja juridike me detyrën nuk ishin shuar. Me vendim gjyqësor, Nano u pagua si Sekretare e Përgjithshme edhe për periudhën kur ishte shfaqur si kandidate për KQZ-në.

Në këtë këndvështrim, citimi nga ILDKPKI i datës së emërimit të Nanos në KQZ dhe i datës së nisjes së detyrës si Sekretare e Përgjithshme e KLP-së shihet si i pamjaftueshëm. Statusi si nëpunës civil i nivelit të lartë lidhet me regjistrimin në regjistrin e Departamentit të Administratës Publike dhe është një status i fituar përmes procedurave dhe testimeve, jo domosdoshmërisht i lidhur vetëm me një institucion të caktuar.

Punësimi në KLP, sipas këtij arsyetimi, shërben si provë e qartë se Nano e gëzon këtë status, pasi funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm kërkon pikërisht këtë kategori nëpunësi civil.

Nëse ndiqet deri në fund ky interpretim, në datën e kandidimit për Komisionin Rregullator të KQZ-së, Ilirjana Nano kishte statusin e nëpunëses civile të nivelit të lartë dhe njëkohësisht po pretendonte në gjykatë vijimin e detyrës si Sekretare e Përgjithshme e KLP-së.

Kjo e kthen çështjen në një pyetje thelbësore për institucionet: a mund të zgjidhet në KQZ një person që, në momentin e kandidimit, gëzonte statusin e nëpunësit civil të nivelit të lartë, kategori për të cilën Kodi Zgjedhor parashikon ndalim?

Video

SHISH “fshin” Vlora Hysenin nga historiku zyrtar

I shënoi kush u largua nga salla! ???? Pamjet nga OKB-ja tregojnë zyrtarë të delegacionit izraelit duke kaluar nga një tavolinë te tjetra dhe duke evidentuar delegacionet që u larguan nga salla gjatë fjalimit të Benjamin Netanyahu-t. Dhjetëra delegacione u larguan sapo kryeministri izraelit mori fjalën, duke lënë pas shumë vende bosh në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.

Skandali po kthehet në biznes, “radarët” e Vlora Hysenit përfundojnë në bluza

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news