Ka libra që autorët pendohen pse i kanë shkruar. Dhe pastaj është “Kurbani” i Edi Ramës, një libër që autori duhet të shpresojë se shqiptarët e kanë harruar.
Sepse në vitin 2011, kur ëndërronte karrigen e kryeministrit, Edi Rama nuk e dinte se, 15 vjet më vonë, fjalët e tij do të tingëllonin si një akuzë ndaj vetë qeverisjes së tij. Me një saktësi gati mizore përshkruante një shtet të kapur nga interesat private, politikanë që pasuroheshin përmes biznesmenëve, leje ndërtimi që tregtoheshin, koncesione që negocioheshin në errësirë dhe vendime qeverie që hartoheshin nga ata që do të përfitonin prej tyre.
Në faqet 206–207 të Kurbanit, Rama denonconte zyrat që “negociojnë në të zezë çmimet e privatizimeve, koncesioneve, licencave, kthimeve e kompensimeve të pronave”.
Dhe pastaj vinte goditja: ata që bënin pazaret me qeverinë “shkruajnë rëndom vetë projektvendimet e Këshillit të Ministrave”.
Sa shumë do të vlente sot të dinim se kush i shkruan projektvendimet e Këshillit të Ministrave të Edi Ramës!
Por Rama i vitit 2011 kishte edhe një bindje tjetër. Fajin nuk e kishin biznesmenët.
“Nuk janë biznesmenët që e bëjnë kapitalizmin shqiptar kaq primitiv dhe shtetin e sotëm të shqiptarëve kaq klientelist, po janë politikanët primitivë”, shkruante ai.
Ata politikanë që te biznesi nuk shohin “mekanizmin e zhvillimit të vendit, po instrumentin e përfitimit të tyre”, duke i kthyer biznesmenët në “faktorë themelorë të korrupsionit qeveritar”.
Sot, pas më shumë se 13 vjetësh në pushtet, Edi Rama qeveris Shqipërinë e kullave, të koncesioneve të kontestuara, të pronave publike që kalojnë në duart e investitorëve strategjikë, të tenderëve nën dyshime dhe të ministrave e drejtuesve të lartë që përballen me drejtësinë.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në të njëjtin libër Rama shkruante për qeverinë që mund t’u marrë njerëzve “ëndrrat, shpresat, dinjitetin, punën, lekët, shpirtin”, ndërsa pakënaqësisë së tyre i përgjigjet me “shkopinj gome, me ujë me presion”.
Lexoji këto fjali sot, pas protestave në Tiranë, dhe provo të kujtosh se për cilin kryeministër janë shkruar.
Rama i vitit 2011 e njihte shumë mirë mekanizmin e korrupsionit, pazaret e pushtetit, klientelizmin dhe mënyrën se si një qeveri mund ta kthejë shtetin në pronë private. I njihte aq mirë sa i përshkroi në një libër. Dy vjet më vonë erdhi në pushtet dhe pati më shumë se trembëdhjetë vjet për t’i çmontuar.
Në vitin 2011, Rama shkruante për një pushtet që e kishte kthyer shtetin në dyqan. Dy vjet më vonë mori çelësat, me premtimin se do ta mbyllte. Sot, pas më shumë se 13 vjetësh, shqiptarët kanë të drejtë ta pyesin: e mbylle dyqanin, apo thjesht ndërrove emrin mbi derë?
Sa për “Kurbanin”, ndoshta Rama e kishte zgjedhur titullin më të përshtatshëm të jetës së tij. Vetëm se atëherë nuk e dinte se një ditë do t’i duhej të sakrifikonte gjithçka që kishte shkruar, për të mbajtur gjithçka që kishte marrë.






















