Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për përhapjen e skemave të reja të mashtrimit përmes mesazheve SMS, ku persona të paidentifikuar përdorin në mënyrë të rreme emrat e institucioneve publike për të përvetësuar të dhënat personale dhe bankare të qytetarëve.
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik ka evidentuar fushata të reja mashtrimi, të njohura si “smishing”, përmes të cilave qytetarëve u dërgohen mesazhe që paraqiten sikur vijnë nga Bashkia Tiranë, DPSHTRR-ja apo Posta Shqiptare.
Sipas Policisë, mesazhet përmbajnë njoftime të rreme për tarifa parkimi të papaguara, gjoba për shkelje të qarkullimit rrugor apo probleme me dorëzimin e pakove postare.
Nëpërmjet këtyre njoftimeve, qytetarët nxiten të klikojnë në lidhje elektronike që i drejtojnë drejt faqeve të falsifikuara, të cilat imitojnë faqet zyrtare të institucioneve.
Qëllimi i autorëve është sigurimi i të dhënave bankare, përfshirë numrin e kartës, datën e skadencës, kodet CVV/CVC dhe kodet e verifikimit, të cilat mund të përdoren për transaksione të paautorizuara dhe vjedhjen e parave nga llogaritë bankare.
Policia paralajmëron se mashtruesit përdorin afate të shkurtra dhe njoftime urgjente për t’i shtyrë qytetarët të veprojnë pa kontrolluar vërtetësinë e mesazheve.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linke të dyshimta, të mos vendosin të dhënat e kartave bankare në faqe të panjohura dhe të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve.
Policia e Shtetit thekson se kujdesi ndaj këtyre mesazheve është thelbësor për të shmangur mashtrimet financiare dhe përvetësimin e të dhënave personale.






















