Gazetarja Klodiana Lala e ka cilësuar të panevojshëm transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, ndërsa ka kritikuar edhe mënyrën se si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka justifikuar këtë vendim.
E ftuar në emisionin “Prime News24”, Lala u shpreh se, sipas saj, transferimi mund të ketë ardhur me urdhër të kryeministrit Edi Rama, ndërsa e konsideroi të pajustifikuar argumentin se arsyet e këtij vendimi përbënin sekret shtetëror.
Gazetarja theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kompetencën ligjore për të vendosur transferimin e personave të paraburgosur apo të dënuar, por sipas saj nuk ishte e nevojshme që vendimi të argumentohej në këtë mënyrë.
“Përpjekja për ta trajtuar Veliajn si të burgosur politik nuk qëndron. Megjithatë, transferimi i tij në burgun e Fierit ishte i panevojshëm. Përpjekja për të thënë se është sekret i madh shtetëror, mendoj se ishte një urdhër i Ramës dhe një budallallëk i drejtoreshës së Burgjeve. Ajo e ka të drejtën ligjore të transferojë çdo të burgosur apo të dënuar kur mendon se kjo përputhet me nevojat. Nuk kishte nevojë të tregonte përralla sikur transferimi ishte sekret shtetëror”, deklaroi Lala.
Duke komentuar edhe marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe Erion Veliajt, gazetarja u shpreh se mes tyre ekziston një fërkim, i cili, sipas saj, nuk lidhet domosdoshmërisht me akuzat penale, por mund të ketë edhe prapavijë politike, veçanërisht në prag të zgjedhjeve.
“Ka një fërkim mes Veliajt dhe kryeministrit, që nuk besoj se vjen për çështje të akuzave, por për arsye të tjera, për më tepër që po afrohen zgjedhjet. Dihet që nëse ikën Bashkia e Tiranës, ikën edhe pushteti financiar dhe ndikimi”, u shpreh gazetarja.






















