Pesë fëmijë në qytetin e Korçës dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në kopsht. Sipas burimeve, fëmijët janë paraqitur në spital brenda së njëjtës ditë me simptoma të gastroenteritit.
Sipas familjarëve, fëmijët konsumojnë drekën në kopsht dhe rastet janë shfaqur njëri pas tjetrit. Burimet bëjnë me dije se gjatë ditës së djeshme, në drekë, fëmijët kanë konsumuar pilaf.
Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse simptomat janë shkaktuar nga ushqimi apo bëhet fjalë për një virozë gastrointestinale. Gastroenteriti mund të shkaktohet nga viruse, por edhe nga baktere apo ushqime të kontaminuara, ndaj përcaktimi i shkakut kërkon vlerësim mjekësor dhe hetim epidemiologjik.
Ndërkohë, policia ka nisur verifikimet për rastin dhe pritet të kryejë veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar nëse ka pasur problem me ushqimin e konsumuar në kopsht. Për momentin, dyshimi për helmim ushqimor mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht.






















