Irani i ka dërguar përgjigjen e tij propozimit amerikan për nisjen e bisedimeve të paqes që synojnë t’i japin fund luftës, raportoi këtë të diel agjencia shtetërore iraniane IRNA. Sipas raportimit, përgjigjja është përcjellë përmes Pakistanit, i cili po vepron si ndërmjetës mes palëve.
Detajet e përgjigjes nuk janë bërë publike, por burimet thanë se në këtë fazë fokusi është ndalimi i luftës, ndërsa çështjet më të ndërlikuara, si programi bërthamor iranian, do të diskutohen më vonë.
Në të njëjtën kohë, një cisternë me gaz natyror të lëngshëm e operuar nga QatarEnergy kaloi për herë të parë përmes ngushticës së Hormuzit që prej nisjes së luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit më 28 shkurt. Anija “Al Kharaitiyat” po transporton gaz drejt Pakistanit, i cili është përballur javët e fundit me ndërprerje të energjisë për shkak të mungesës së importeve të gazit.
Burime diplomatike thanë se kalimi i anijes ishte miratuar nga Irani si një sinjal besimi ndaj Katarit dhe Pakistanit, dy vende që po përpiqen të ndërmjetësojnë fundin e konfliktit.
Megjithatë, tensionet në rajon mbeten të larta. Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se kanë interceptuar dy dronë të nisur nga Irani, ndërsa Katari dënoi një sulm me dron ndaj një anijeje mallrash në ujërat e tij. Edhe Kuvajti raportoi se mbrojtja ajrore neutralizoi dronë armiqësorë që hynë në hapësirën e tij ajrore.
Ngushtica e Hormuzit, nga ku kalonte rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë para luftës, mbetet një nga pikat më kritike të krizës. Kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, i ka kërkuar Teheranit që të mos e përdorë Hormuzin si “mjet presioni”, duke paralajmëruar se kjo vetëm sa do ta thellonte krizën rajonale.






















