Të paktën 39 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në jug të Libanit gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, mes viktimave raportohet se ka edhe fëmijë.
Sulmi më i rëndë u regjistrua në qytetin jugor Saksakiyeh, ku sipas autoriteteve libaneze u vranë të paktën shtatë persona, përfshirë një vajzë të mitur, ndërsa 15 të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre tre fëmijë.
Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan se kishin në shënjestër anëtarë të grupit të armatosur Hezbollah, duke pretenduar se objektivi ishte një strukturë e përdorur për qëllime ushtarake.
Ushtria izraelite tha se kishte marrë masa për të shmangur dëmtimin e civilëve, përmes përdorimit të municioneve precize dhe mbikëqyrjes ajrore.
Përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut vijojnë edhe pas armëpushimit të shpallur më 16 prill nga presidenti amerikan Donald Trump mes qeverive të Izraelit dhe Libanit.
Shumica e sulmeve izraelite janë përqendruar në jug të Libanit, ku Tel Avivi pretendon se po godet infrastrukturë dhe persona të lidhur me Hezbollahun.
Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA raportoi se sulme të shumta ajrore janë regjistruar në disa zona të jugut të vendit.






















