Salvatore alias Shpëtim Aliu, një prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të një prej hetimeve më të mëdha të SPAK për trafikun ndërkombëtar të kokainës, raportohet se është arrestuar në Rusi.
Aliu është një prej emrave kryesorë të dosjes së SPAK, ku autoritetet shqiptare kanë hetuar një rrjet të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Në qershor, ndaj tij u caktua masa “arrest me burg”, ndërsa në kuadër të operacionit u shpallën në kërkim edhe persona të tjerë të dyshuar si pjesë e të njëjtit rrjet.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat shqiptare mbi dosjen hetimore, SPAK e konsideron Shpëtim Aliun një figurë të rëndësishme në organizimin dhe furnizimin me kokainë të disa grupeve shqiptare. Në komunikimet e zbardhura nga aplikacioni i enkriptuar SKY ECC, emri i tij shfaqet në kontakte me persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
Hetimi i SPAK lidhet me pesë episode të dyshuara të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës. Prokuroria ka ushtruar kontrolle në 23 banesa, zyra dhe ambiente të shoqërive tregtare, ndërsa janë vendosur masa sigurie dhe janë sekuestruar pasuri që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal dhe pastrimin e parave.
Sipas SPAK, hetimi përfshin veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “pastrimit të produkteve të veprës penale”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe kryerjes së veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.






















