Ish-presidenti Bamir Topi, duke komentuar arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se si politikan me doza tolerance, kryebashkiaku duhej të hetohej në gjendje të lirë.
Ai shtoi se nuk i vjen mirë që çështja ndaj Veliajt prek edhe familjen e tij dhe uroi që gjithçka të shkojë mirë. E thënë në këtë mënyrë, duket se Bamir Topi është përmbajtur më shumë emocioneve personale sesa një qëndrimi politik si ish-president.
“Kur çështja prek gjithë situatën familjare, nuk më vjen mirë fare. Politika është politikë, por nuk mund të ndajmë veten nga marrëdhëniet njerëzore. Uroj që gjithçka të shkojë mirë për familjen Veliaj, që të vendoset drejtësia dhe uroj që të ketë drejtësi. Jam politikan, jam me doza tolerance, do konsideroja që procesi të vazhdonte pa u prekur dhe jo me masa të kësaj natyre!” – tha ndër të tjera Topi.
Kur dikush që e konsideron veten politikan me përvojë ftohet të komentojë një ngjarje kaq të rëndësishme si arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të ishte e udhës të analizonte akuzën dhe faktet. Keqardhja njerëzore padyshim është e pranishme në raste të tilla, por kur ftohesh për të komentuar një akuzë, ose flit për të, ose hesht dhe fol për syzet e diellit të “kalibrit tim”.






















