
Agjencia Shtetërore e Kadastrës duket se ka rënë në pikën më kritike të funksionimit të saj, duke u kthyer nga një institucion në shërbim të publikut në një vatër të paprecedentë skandalesh. Alarmi i ngritur rishtazi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe zbulimet tronditëse të SPAK dëshmojnë për një rënie të lirë institucionale. Ndërsa qytetarët zvarriten dyerve të Kadastrës për muaj të tërë duke kërkuar të drejtën e tyre legjitime mbi pronën pa marrë asnjë zgjidhje, ky institucion ka krijuar një terren të errët ku transparenca ka vdekur dhe ku shërbimi vlen vetëm për trafikantët.
Kreu i KLSH-së, Arben Shehu, gjatë raportimit në Kuvend ditën e djeshme, denoncoi hapur se prej gati dy vitesh, Kadastra ka bllokuar në mënyrë sistematike aksesin e audituesve në të dhënat e saj. Ky izolim i qëllimshëm, sipas tij pengon verifikimin dhe kontrollin e pronave shtetërore dhe private, duke shkelur detyrimet ligjore për transparencë. Kur një agjenci e rëndësisë kombëtare guxon të mbyllë dyert para institucionit më të lartë të kontrollit në vend, pyetja që lind natyrshëm është se çfarë po fshihet me kaq ngulm në regjistrat e pronave të shqiptarëve.
Në dritën e këtij bllokimi ndaj shtetit, dosjet e SPAK kanë zbardhur anën tjetër të medaljes, atë që tregon se për kë janë të hapura dyert e këtij institucioni. Hetimet e fundit të Prokurorisë së Posaçme kanë provuar se Agjencia Shtetërore e Kadastrës është përdorur si instrument nga eksponentë të krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës. Përveçse rezulton që shumë pasuri janë tjetërsuar nga trafikantët nën hundën e saj, Kadastra rezulton se ka funksionuar si një seli e infiltruar informacioni, ku zyrtarët e saj janë vënë në lëvizje për të verifikuar nëse prokuroria po zhvillonte hetime sekrete apo pasurore ndaj personave të botës së krimit, duke u kthyer de facto në syrin dhe veshin e trafikantëve.
Ky degradim i skajshëm dëshmon dështimin e plotë moral dhe ligjor të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Është një paradoks që, ndërsa qytetarët e thjeshtë përballen me një mur burokratik, vonesa të pafundme dhe dështim të plotë të shërbimit ndaj tyre, institucioni në fjalë funksionon me efikasitet të plotë kur bëhet fjalë për t'u shërbyer interesave të mafies dhe pastrimit të parave.
Ky realitet skandaloz ka alarmuar edhe Parlamentin Europian, i cili në raportin e tij të fundit për Shqipërinë ka kërkuar me forcë adresimin e abuzimeve flagrante me pronat dhe ndalimin e shkeljes së të drejtave të pronësisë.






















