DJ japonez Yousuke Yukimatsu, një nga emrat më të vlerësuar të skenës elektronike botërore, ka rrëfyer se një tumor në tru i diagnostikuar një dekadë më parë i ndryshoi plotësisht jetën dhe mënyrën se si e sheh misionin e tij si artist.
47-vjeçari zbuloi se në vitin 2016 pësoi një krizë epileptike dhe u gjet pa ndjenja në banesën e tij, pasi nuk ishte paraqitur në një festival ku ishte i ftuar. Mjekët zbuluan se vuante nga një tumor në tru dhe iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale, si edhe kimioterapisë dhe radioterapisë.
Sot, Yukimatsu është në remision dhe kontrollet e fundit mjekësore kanë konfirmuar se tumori nuk ekziston më.
Artisti thotë se përvoja e vështirë e bëri të kuptonte se duhej t’i përkushtohej plotësisht muzikës dhe ta përdorte atë për të përçuar mesazhe shprese dhe paqeje.
“Bota po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Zhvillohen armë të reja dhe dhuna po normalizohet. Dua që njerëzit të ndiejnë shpresë përmes seteve të mia. Dua të sjell pak dritë,” u shpreh ai.
Yukimatsu është bërë një fenomen në skenën ndërkombëtare të muzikës elektronike. Seti i tij në Tokio në vitin 2024 në Boiler Room ka grumbulluar afro 20 milionë shikime, ndërsa këtë verë ai po zhvillon një turne botëror dhe do të ngjitet në skenë edhe si artist mbështetës në koncertet e grupit legjendar The Prodigy në Mbretërinë e Bashkuar.
I njohur për performancat energjike, shpesh pa bluzë, dhe për stilin që ndërthur techno-n me rock, pop dhe muzikë eksperimentale, Yukimatsu thotë se nuk beson te kufijtë mes zhanreve.
“Nuk ka rëndësi se çfarë zhanri është. Nëse muzika është e mirë, atëherë është e mirë,” tha ai.
Përveç muzikës, DJ-ja mban gjithmonë në qafë një varëse me mbishkrimin “No War” (Jo luftës), duke e konsideruar promovimin e paqes pjesë të misionit të tij si artist.
“Dua të jem një DJ më i mirë dhe një njeri më i mirë. Këtë ia kujtoj vetes çdo ditë,” përfundoi Yukimatsu.






















