Bota 25 Tetor 2025, 07:54 Nga VNA

Turqia pritet të përjashtohet nga forca e stabilizimit në Gaza pas kundërshtimit të Izraelit

Ndaje në Whatsapp
Turqia pritet të përjashtohet nga forca e stabilizimit në Gaza
Ushtarë turq

Ankaraja mund të mos jetë pjesë e forcës shumëkombëshe që do të vendoset në Rripin e Gazës, pasi Izraeli ka shprehur kundërshtimin e tij për praninë e trupave turke në këtë mision.

Turqia ka gjasa të mos përfshihet në forcat prej rreth 5 mijë trupash që pritet të vendosen në Gaza për të garantuar stabilitetin pas luftës, pasi Izraeli ka bërë të qartë se nuk e pranon pjesëmarrjen e saj.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se përbërja e forcës duhet të jetë e tillë që të jetë e pranueshme për Izraelin, pasi ajo do të ketë rolin kyç në shmangien e një boshllëku sigurie gjatë procesit të rindërtimit të Gazës.

Turqia kishte ofruar të dërgonte trupa, por Izraeli ka sinjalizuar hapur mospëlqimin e tij ndaj këtij propozimi. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar për shkak të qëndrimeve të kundërta për Sirinë, si dhe për shkak të afërsisë së presidentit turk Rexhep Tajip Erdoğan me Vëllazërinë Myslimane dhe Hamasin.

Megjithatë, përjashtimi i Turqisë shihet si vendim i debatueshëm, pasi Ankaraja është një nga garantueset e marrëveshjes së armëpushimit me 20 pika të propozuar nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, dhe konsiderohet si një nga ushtritë më të fuqishme në botën myslimane.

Sipas burimeve diplomatike, forca e stabilizimit do të udhëhiqet nga Egjipti. Ndërkohë, vende të tjera pjesëmarrëse si Indonezia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kërkuar që misioni të ketë një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, edhe pse nuk do të jetë formalisht një mision paqeruajtës i kësaj organizate.

Forca do të bashkëpunojë me një qendër të koordinuar ushtarako-civile të drejtuar nga SHBA-të (CMCC), e vendosur në qytetin Kiryat Gat në jug të Izraelit. Qendra, e cila përfshin këshilltarë nga Britania, Franca, Jordania dhe Emiratet, u inaugurua të martën nga nënpresidenti amerikan JD Vance. CMCC do të luajë gjithashtu rol në koordinimin e ndihmave humanitare për Gazën, ndonëse shumë pika hyrëse mbeten të mbyllura.

Turqia pritet të përjashtohet nga forca e stabilizimit në Gaza
Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan

Detyra kryesore e forcës do të jetë çarmatosja e Hamasit dhe sigurimi i një qeverie kalimtare palestineze, formimi i së cilës ende po diskutohet. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes së Autoritetit Palestinez në administrimin e Gazës pas luftës.

Megjithatë, të premten, fraksionet kryesore palestineze, përfshirë Hamasin dhe Fatahun, arritën një marrëveshje në Egjipt për krijimin e një komiteti të pavarur teknokratësh që do të marrë përsipër menaxhimin e përkohshëm të Gazës, në bashkëpunim me vendet arabe dhe institucionet ndërkombëtare.

Në një tjetër shenjë të tensioneve dypalëshe, një ekip prej 81 specialistësh të emergjencave turke nga agjencia AFAD, të dërguar për kërkimin e trupave palestineze dhe izraelite, po qëndronin pranë kufirit egjiptian në pritje të autorizimit nga Izraeli për të hyrë në territorin e Gazës.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdoğan i kërkoi të premten SHBA-së të ushtrojë më shumë presion mbi Izraelin përmes sanksioneve dhe ndalimeve të shitjeve të armëve, që ky i fundit të zbatojë detyrimet e marra në kuadër të planit të Trump.

Sekretari amerikan Rubio deklaroi gjithashtu se Agjencia e OKB-së për Ndihmë ndaj Refugjatëve Palestinezë (UNRWA) nuk do të ketë më rol në Gaza, duke e cilësuar atë si një “institucion të infiltruar nga Hamasi”.

Kjo deklaratë bie ndesh me qëndrimet e vendeve evropiane, të OKB-së dhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), e cila këtë javë vlerësoi se UNRWA mbetet një mekanizëm i pazëvendësueshëm për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza. ICJ gjithashtu deklaroi se Izraeli nuk ka ofruar prova të pakundërshtueshme se agjencia është infiltruar në mënyrë të pakthyeshme nga Hamasi.

Ndërkohë, Norvegjia, që nisi procedurat në OKB për opinionin ligjor të ICJ-së, po përgatit një rezolutë të re që thekson detyrimin e Izraelit për të mos penguar furnizimin me ndihma humanitare në Gaza. Sipas marrëveshjes së armëpushimit të Trump, Izraeli ishte zotuar të lejonte hyrjen e 600 kamionëve me ndihma në ditë, por aktualisht lejohet vetëm rreth 89 kamionë në ditë – rreth 14% e sasisë së parashikuar.

Në një deklaratë të ashpër, UNRWA akuzoi Izraelin për “aneksim të vazhdueshëm të Bregut Perëndimor” dhe “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.

Kreu i Agjencisë Humanitare të OKB-së (OCHA), Tom Fletcher, pas një vizite në Gaza, e përshkroi situatën si “të ngjashme me rrënojat e Hiroshimës apo Stalingradit”, duke theksuar përmasat e shkatërrimit dhe nevojën urgjente për ndihmë.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Hamasit, të udhëhequr nga Khalil al-Hayya, dhe të Fatahut, të udhëhequr nga Hussein al-Sheikh, zhvilluan të premten në Kajro bisedime për të ardhmen e Gazës pas luftës. Në një deklaratë të përbashkët, ata njoftuan se kishin marrë “garanci të qarta nga ndërmjetësit se lufta ka përfunduar efektivisht” dhe se një komitet teknokratësh të pavarur do të marrë përkohësisht administrimin e territorit palestinez./The Guardian/

 

Video

Gjatë një interviste në sheshin e Prishtinës për “Gazeta Blic”, deputeti i LDK-së Armend Zemaj është përfshirë në një incident me një qytetar. Avokati i tij, Besnik Berisha, ka deklaruar se Zemaj është viktimë e rastit, ndërsa vetë deputeti ka pranuar se ka reaguar në mënyrë të papërshtatshme dhe ka kërkuar falje publike. Nga ana tjetër, qytetari i përfshirë pretendon se Zemaj e ka fyer në familje. Pamjet e momentit janë publikuar nga “Gazeta Blic”. https://www.vna.al/bota/incident-ne-prishtine-deputeti-armend-zemaj-grushton-nje-qytetar-me-provoko-i16098

Liqeni i Pogradecit është kthyer sërish në një ndalesë mahnitëse për flamingot, zogjtë elegantë që çdo vit tërheqin vëmendjen e banorëve dhe vizitorëve të zonës. Ky vit shënon numrin më të madh të flamingove të regjistruar ndonjëherë në liqen. Sipas vëzhgimeve të fundit të specialistëve të mjedisit, rreth 80 deri në 90 individë u panë në brigjet e liqenit dy javë më parë, ndërsa aktualisht qëndrojnë rreth 15 zogj. Kjo lëvizje është bërë tashmë një dukuri e zakonshme: flamingot vizitojnë Pogradecin për disa ditë, përpara se të vazhdojnë udhëtimin drejt Lagunës së Nartës dhe asaj të Karavastasë, ku kalojnë muajt e dimrit. Flamingot që vizitojnë Shqipërinë vijnë nga pjesa jugore e Evropës, nga Turqia apo edhe nga veriu i Afrikës. Gjatë migrimit të tyre sezonal, ato ndalojnë në zona të ndryshme të Mesdheut, përfshirë edhe detin Adriatik, ku gjenden në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kroaci.

Forcat amerikane sulmuan një anije në Karaibe që dyshohet se transportonte kokainë, duke vrarë gjashtë persona në bord, njoftoi Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Sulmi u krye me urdhër të Presidentit Trump ndaj një bande venezueliane të identifikuar si “organizatë terroriste”. Që nga shtatori, SHBA-ja ka kryer dhjetë sulme të tilla kundër anijeve narkotrafikante, me të paktën 43 të vdekur.

E keni parasysh Autoritetin e Konkurrencës? Po, atë institucion që hesht kur një spital privat mban monopol në shëndetësi, apo kur dy kompanitë e vetme celulare formojnë duopol dhe luajnë me çmimet në kurriz të qytetarëve. Drejtuesi i tij, Denar Biba, dje në një komision parlamentar ka kërkuar që Autoriteti të ketë të drejtën të përgjojë telefonatat — si “mënyrën e vetme” për të zbardhur të vërtetat e monopoleve dhe bizneseve.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme