Bota 23 October 2025, 22:00 Nga VNA

Shefi i OBSH-së: Asnjë ulje e urisë që nga armëpushimi në Gaza, kriza humanitare mbetet e rëndë

Ndaje në Whatsapp
Shefi i OBSH-së: Asnjë ulje e urisë që nga armëpushimi

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se situata humanitare në Rripin e Gazës mbetet dramatike, pavarësisht armëpushimit të brishtë të shpallur dy javë më parë. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se uria dhe mungesa e ndihmave humanitare vijojnë të jenë shqetësuese, ndërsa evakuimet mjekësore janë shumë të kufizuara për të përmbushur nevojat e popullsisë së rraskapitur.

“Armëpushimi i shpallur dy javë më parë është i brishtë dhe është shkelur, por megjithatë vazhdon të mbahet. Ky është një lajm i mirë për të gjithë,” tha Tedros gjatë një konference për media.

Megjithatë, ai shtoi se “kriza është ende shumë larg përfundimit dhe nevojat humanitare janë të jashtëzakonshme”.

Sipas shefit të OBSH-së, niveli i urisë në Gaza nuk ka pësuar asnjë përmirësim. “Nuk ka ulje të urisë, sepse nuk ka ushqim të mjaftueshëm. Urisë i duhet kohë për t’u zhdukur, por në mungesë të furnizimeve të qëndrueshme, situata mbetet kritike,” theksoi ai.

Tedros vuri në dukje se shumica e kamionëve që po hyjnë aktualisht në Gaza janë komercialë, çka nuk e ndihmon popullsinë, pasi shumë njerëz nuk kanë mundësi financiare për të blerë ushqim apo produkte të tjera të nevojshme.

Në lidhje me evakuimet mjekësore, drejtori i OBSH-së paralajmëroi se infrastruktura aktuale është e pamjaftueshme. “Vetëm një ose dy rrugë janë të hapura për evakuime dhe ato funksionojnë vetëm një herë në javë. Kjo është e pamjaftueshme për përmasat e krizës. Për disa pacientë, këto vonesa do të thonë vdekje,” tha ai, duke shtuar se rreth 700 persona kanë humbur jetën gjatë pritjes për evakuim.

Sipas të dhënave të OBSH-së, rreth 15 mijë pacientë, përfshirë 4 mijë fëmijë, kanë nevojë urgjente për trajtim jashtë Gazës. Tedros i bëri thirrje Izraelit të lejojë lëvizjen e pacientëve drejt Bregut Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, dhe njëkohësisht u kërkoi vendeve të tjera të pranojnë më shumë pacientë për trajtim.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e hapjes së të gjitha kalimeve kufitare, përfshirë kalimin e Rafahut, i cili sipas planit duhej të hapej që javën e kaluar. “Një sasi e konsiderueshme ndihme është grumbulluar në Al-Arish, në Egjipt, dhe është gati të hyjë në Gaza sapo të hapet kalimi,” deklaroi ai.

OBSH ka hartuar një plan 60-ditor për menaxhimin e emergjencës humanitare, që kërkon 45 milionë dollarë për të mbështetur shërbimet shpëtimtare, për të forcuar mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe për të koordinuar partnerët ndërkombëtarë. Por Tedros paralajmëroi se rindërtimi i sistemit shëndetësor të Gazës do të kërkojë të paktën 7 miliardë dollarë.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga OBSH, më shumë se 170 mijë persona janë plagosur që nga fillimi i konfliktit, përfshirë 5 mijë të amputuar dhe 3.600 me djegie të rënda, ndërsa rreth 1 milion njerëz kanë nevojë për kujdes shëndetësor mendor.

“Situata në Gaza mbetet një krizë humanitare e përmasave katastrofike,” përfundoi Tedros, duke theksuar nevojën urgjente për veprim të koordinuar ndërkombëtar dhe për sigurimin e hyrjes së menjëhershme të ndihmave në territor.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme