Bota 23 October 2025, 16:55 Nga VNA

Irani thotë se çdo sulm i ri ndaj tij do të jetë “një tjetër dështim”

Ndaje në Whatsapp
Irani thotë se çdo sulm i ri ndaj tij do të jetë

Irani paralajmëroi kundër çdo sulmi të ri ndaj tij, pasi shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për energji bërthamore tha se ka frikë se do të rikthehet “përdorimi i forcës” nëse dështojnë përpjekjet diplomatike me Iranin. 

Në mes të qershorit, Izraeli nisi një fushatë të paprecedent bombardimesh kundër Iranit, duke nxitur një luftë në të cilën Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë.

Gjatë luftës 12-ditore, Izraeli goditi ndërtesat ushtarake dhe bërthamore iraniane si dhe zona të banuara, ndërkaq më vonë Shtetet e Bashkuara sulmuan ndërtesat kyç bërthamore të Iranit.

Konflikti shkaktoi ndërprerje të bisedimeve bërthamore mes Teheranit dhe Uashingtonit që kishin nisur në prill. Një armëpushim mes Iranit dhe Izraelit është në fuqi që nga 24 qershori.

Në një intervistë të publikuar më 23 tetor në gazetën zvicerane Le Temps, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, tha se “nëse dështon diplomacia, kam frikë se do të rikthehet përdorimi i forcës”.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të enjten se nuk është e qartë nëse deklaratat e Grossit ishin bërë “për shkak të shqetësimit apo ishin kërcënim”.

“Por, ata që bëjnë kërcënime të tilla duhet ta kuptojnë se përsëritja e përvojës së dështuar do të çojë vetëm në një dështim tjetër”, tha ai përmes një videoje të publikuar nga Ministria e Jashtme iraniane.

Tensionet ndërmjet Iranit dhe IAEA-së u përshkallëzuan menjëherë pas luftës 12-ditore, me Teheranin që pezulloi bashkëpunimin me agjencinë duke e akuzuar atë për dështim të dënimit të sulmeve izraelite dhe amerikane.

Në shtator, Irani dhe agjencia e OKB-së arritën një kornizë të re bashkëpunimi, por vetëm disa javë më vonë Teherani e shpalli atë kornizë të pavlefshme, pasi Britania, Franca dhe Gjermania aktivizuan një mekanizëm për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së, që ishin hequr në bazë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Dy persona kalojë pranë një këmbimoreje në Teheran. Sanksionet e OKB-së pritet të godasin ekonominë iraniane, përfshirë edhe dobësimin e valutës së shtetit. 

Nga kjo marrëveshje, SHBA-ja u tërhoq në mënyrë të njëanshme më 2018 dhe rivendosi sanksione ndaj Republikës Islamike.

Gjatë intervistës, Grossi tha se Irani që nga lufta ka vendosur “kufizime ndaj inspektimeve sepse ka frikë për sigurinë e tij” dhe lejon inspektime në ndërtesat bërthamore vetëm “në mënyrë të kufizuar.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Irani është i vetmi shtet pa armë bërthamore që pasuron uraniumin deri në 60 për qind pastërti, afër pragut prej 90 për qind sa kërkohet për krijimin e një bombe bërthamore.

“Nëse do të ndërmerrte hapat e ardhshëm, Irani do të kishte mjaftueshëm material për rreth dhjetë bomba bërthamore”, tha Grossi.

“Megjithatë, ne nuk kemi asnjë provë që Teherani po përpiqet të ketë armë bërthamore”, shtoi ai./REL 

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme