Ndërsa Hungaria përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të 12 prillit, vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te roli që mund të ketë Rusia në fushatën elektorale të kryeministrit Viktor Orban.
Gjatë katër viteve të luftës në Ukrainë, qeveria hungareze ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë dhe ka kundërshtuar vazhdimisht ndihmën për Kievin. Së fundmi, Budapesti bllokoi edhe një kredi të madhe të BE-së për Ukrainën.
Analistët thonë se Moska duket e vendosur t’ia shpërblejë këtë qëndrim Orbanit, aleatit të saj më të fortë brenda Bashkimit Europian. Muajin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin priti në Kremlin ministrin e jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, duke i garantuar se Hungaria do të vazhdojë të furnizohet me naftë ruse pavarësisht tensioneve ndërkombëtare dhe bojkotit energjetik nga vendet e tjera të BE-së.
Ndërkohë, edhe presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë mbështetje të hapur Orbanit në këtë garë zgjedhore, ndërsa në Budapest pritet të zhvillojë një vizitë edhe nënpresidenti JD Vance.
Ndryshe nga rastet klasike të ndërhyrjeve të fshehta ruse në zgjedhje, në Hungari bashkëpunimi mes qeverisë së Orbanit dhe Moskës shihet si shumë më i hapur. Sipas analistëve, mesazhet kundër Ukrainës dhe kritikat ndaj Bashkimit Europian janë bërë pjesë qendrore e fushatës së partisë në pushtet, Fidesz.
Në të gjithë vendin janë vendosur postera zgjedhorë që paraqesin presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky së bashku me liderin e opozitës, Peter Magyar, me sloganin: “Janë të rrezikshëm! Le t’i ndalim.”
Fushata është shoqëruar edhe me tensione të reja. Ministri i jashtëm hungarez sugjeroi së fundmi se Ukraina mund të ketë tentuar të sabotojë një tubacion gazi që furnizon Hungarinë, një pretendim që ka rritur frikën e opozitës se qeveria po përdor krizën për të krijuar klimë alarmi para votimit.
Ndërkohë, një regjistrim telefonik i publikuar nga një konsorcium mediash europiane ka nxjerrë në pah një bisedë mes Szijjarto dhe ministrit të jashtëm rus Sergey Lavrov, ku diplomati hungarez dëgjohet duke premtuar se do të përpiqet të heqë nga lista e sanksioneve të BE-së një familjare të oligarkut rus Alisher Usmanov.
Zgjedhjet e 12 prillit pritet të jenë ndër më të rëndësishmet për Hungarinë në vitet e fundit, pasi për herë të parë në shumë kohë partia e Orbanit përballet me një opozitë që në disa sondazhe po rezulton përpara.






















