Disa aeroporte në Itali po përballen me mungesë karburanti për avionët, duke detyruar autoritetet të vendosin kufizime në furnizim dhe operim të fluturimeve.
Sipas njoftimeve zyrtare të publikuara të hënën, aeroporti i Brindisit ka mbetur pa karburant për avionët (jet fuel), ndërsa në aeroportet e Pescara dhe Reggio Calabria janë vendosur kufizime për shkak të mungesës së kerozinës.
Autoritetet e aeroportit të Brindisit u kanë kërkuar kompanive ajrore që të mbushin avionët me karburant në aeroportin e mëparshëm, në mënyrë që të mos bëjnë furnizim në këtë aeroport deri të paktën në mesditën e së martës, më 7 prill. Për shkak të rezervave të kufizuara, aktualisht garantohen vetëm fluturimet shtetërore, misionet e kërkim-shpëtimit (SAR) dhe fluturimet mjekësore.
Ndërkohë në aeroportin e Pescara është në dispozicion vetëm një cisternë me kapacitet rreth 20 mijë litra karburant, situatë që pritet të zgjasë deri më 8 prill.
Edhe aeroporti i Reggio Calabria ka raportuar rezervë të reduktuar të karburantit Jet A1 deri më 7 prill, ndërsa çdo avion mund të furnizohet maksimalisht me 3 mijë litra.
Këto aeroporte i shtohen alarmit të dhënë dy ditë më parë edhe për aeroportet e Milano Linate, Bologna, Treviso dhe Venezia, ku janë raportuar probleme të furnizimit për shkak të vështirësive të një prej furnitorëve kryesorë të karburantit, Air BP Italia.






















