Gazetari britanik Gareth Gore, autor i një libri investigativ për organizatën katolike Opus Dei, u befasua kur këtë vit mori një telefonatë nga Vatikani për një takim personal me Papën Leo.
Gore publikoi në vitin 2024 librin “Opus”, një hetim i gjatë mbi këtë organizatë katolike të themeluar në vitet 1920 nga prifti spanjoll Josemaría Escrivá. Në libër paraqiten akuza të rënda nga ish-anëtarë të organizatës, që flasin për manipulim psikologjik, kontroll emocional dhe shfrytëzim të njerëzve të cenueshëm – akuza që Opus Dei i mohon kategorikisht.
Sipas hetimit të gazetarit, gjatë dekadave organizata ka ndërtuar një rrjet të fuqishëm rekrutimi dhe ndikimi politik në shumë vende, ndërsa disa ish-anëtarë kanë pretenduar se janë përdorur metoda kontrolli, përfshirë izolimin nga familjet, presionin psikologjik dhe përdorimin e rrëfimeve fetare për të ushtruar ndikim mbi anëtarët.
Gore gjithashtu pretendon se Opus Dei ka pasur marrëdhënie të ngushta me diktaturën e Francisco Franco në Spanjë dhe më pas ka mbështetur kauza konservatore në vende të ndryshme.
Vetë organizata ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se libri përmban “gabime, shtrembërime dhe pretendime të pabazuara” dhe se Opus Dei nuk ushtron kontroll mbi aktivitetet politike apo ekonomike të anëtarëve të saj.
Takimi me Papën Leo u zhvillua më 16 mars në Vatikan. Sipas Gore, Papa bëri pyetje të detajuara dhe vendosi që takimi të dokumentohej publikisht, një veprim që gazetari e interpreton si një sinjal se Vatikani po i merr seriozisht akuzat ndaj organizatës.
Gore i kërkoi Papës që Vatikani të hapë një hetim të pavarur për të gjitha pretendimet për abuzime brenda Opus Dei, duke përfshirë abuzime shpirtërore, psikologjike dhe fizike.
Ndërkohë, në Argjentinë prokurorët po hetojnë akuzat e ngritura nga dhjetëra gra që pretendojnë se janë shfrytëzuar dhe trafikuar nga struktura të lidhura me organizatën – akuza që Opus Dei i ka kundërshtuar.
Takimi mes gazetarit dhe Papës vjen në një moment kur debati mbi rolin dhe ndikimin e Opus Dei brenda Kishës Katolike dhe në politikë po bëhet gjithnjë e më i fortë.






















