
Turqia ka dënuar ndërhyrjen e forcave izraelite ndaj Flotiljes Globale “Sumud”, e nisur drejt Gazës me ndihma humanitare, duke e cilësuar operacionin si “një akt të ri piraterie” në ujërat ndërkombëtare.
Në deklaratën zyrtare, Ministria e Jashtme turke tha se ushtria izraelite ndërhyri ndaj flotiljes ku ndodheshin aktivistë dhe qytetarë nga afro 40 vende të botës, mes tyre edhe aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, i cili ishte bashkuar misionit ndërkombëtar në solidaritet me popullin palestinez.
Ankaraja deklaroi se “sulmet dhe politikat e frikësimit” të Izraelit nuk do të ndalin solidaritetin ndërkombëtar me Gazën dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pjesëmarrësve të ndaluar.
“Ne dënojmë ndërhyrjen e kryer nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare kundër Flotiljes Globale ‘Sumud’, e cila u formua për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza dhe që përbën një akt të ri piraterie”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.
Autoritetet turke bënë të ditur gjithashtu se po ndjekin nga afër zhvillimet dhe po ndërmarrin hapa për kthimin e sigurt të qytetarëve turq që ndodheshin në bordin e flotiljes.






















