Nga Theresa May te Boris Johnson, Liz Truss, Rishi Sunak dhe tani ndoshta edhe Keir Starmer, Britania po kalon një periudhë trazirash politike që deri pak vite më parë dukej e paimagjinueshme për demokracinë parlamentare më të famshme në botë.
Në analizën e tij për “The Guardian”, Tom Clark argumenton se problemi nuk është më vetëm te liderët individualë, por te vetë mënyra si funksionon sot politika britanike. Sipas tij, posti i kryeministrit është bërë pothuajse “i pamundur”.
Autori e krahason Britaninë e sotme me Francën e Republikës së Katërt pas Luftës së Dytë Botërore, një periudhë kur qeveritë rrëzoheshin vazhdimisht, vendimet shtyheshin dhe politika dominohej nga rivalitetet e pafundme. Vetëm ardhja e Charles de Gaulle dhe krijimi i një rendi të ri politik arriti t’i japë fund kaosit francez.
Clark shkruan se Britania po hyn në një krizë të ngjashme. Që nga referendumi i Brexit në vitin 2016, vendi ka ndërruar gjashtë kryeministra dhe mund të ketë së shpejti edhe të shtatin. Bashkë me ta janë zëvendësuar vazhdimisht ministra, këshilltarë dhe drejtues institucionesh.
Sipas tij, problemi më i madh është se askush nuk qëndron mjaftueshëm gjatë në pushtet për të ndërtuar reforma reale. Çdo kryeministër i ri sjell kabinet të ri, prioritete të reja dhe njerëz të rinj në administratë, ndërsa projektet afatgjata mbeten pezull.
Ish-sekretari i kabinetit britanik, Gus O’Donnell, kujton se në një moment Britania pati nëntë ministra pensionesh në vetëm pesë vite, në një sektor që kërkon strategji për dekada. Sipas tij, administrata shtetërore e ka pothuajse të pamundur të ndërtojë politika të qëndrueshme në kushte të tilla.
Artikulli argumenton se destabiliteti nuk vjen vetëm nga gabimet personale të liderëve, por nga fragmentimi i vetë shoqërisë britanike. Ndarjet tradicionale politike janë zëvendësuar nga përçarje shumë më të thella:
Brexit, emigracioni, luftërat kulturore, Gaza, diferencat mes brezave dhe polarizimi i ushqyer nga rrjetet sociale.
Në këtë klimë, sipas autorit, bëhet gjithnjë e më e vështirë të krijosh një shumicë politike të qëndrueshme.
Për Keir Starmerin, Clark shkruan se ai erdhi në pushtet me premtimin për t’i dhënë fund kaosit, por sot vetë shihet si pjesë e tij. Sipas analizës, Starmer gaboi duke zgjedhur një qasje tepër të kujdesshme dhe konservatore në çështjet kulturore, ndërsa nuk arriti të ndërtojë një vizion ekonomik bindës që mund të bashkonte elektoratin.
Autori paralajmëron se Britania rrezikon të hyjë në një cikël ku politika prodhon vetëm krizë dhe mbijetesë afatshkurtër, ndërsa reformat reale mbeten të pamundura.
Megjithatë, ai argumenton se zgjidhja nuk është heqja dorë nga politika, por rikthimi i saj te serioziteti, durimi dhe projektet afatgjata. Sipas tij, problemet e mëdha nuk zgjidhen me slogane, krizë të përhershme apo spektakël politik, por me kohë, stabilitet dhe qeverisje reale.






















