FIFA dhe Federata Iraniane e Futbollit kanë zhvilluar një takim të rëndësishëm në Stamboll, ku në fokus ishte pjesëmarrja e kombëtares iraniane në Kupën e Botës.
Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, e cilësoi takimin si “shumë konstruktiv”, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy palëve po vijon ngushtë dhe se FIFA pret me padurim praninë e Iranit në turneun botëror.
Sipas deklaratës zyrtare, gjatë bisedimeve janë diskutuar çështje organizative dhe operacionale, në të njëjtën mënyrë si me federatat e tjera anëtare.
Pozitiv e vlerësoi takimin edhe presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, i cili tha se të dyja palët kanë riafirmuar angazhimin për të garantuar pjesëmarrjen e Iranit në Botëror. Ai bëri me dije se vizat për ekipin kombëtar ende nuk janë lëshuar, por procesi pritet të finalizohet në Turqi.
Takimi u zhvillua në selinë e Federatës Turke të Futbollit, ndërsa kombëtarja iraniane po përgatitet për një kamp stërvitor në Turqi para udhëtimit drejt SHBA-së.
Në listën paraprake me 30 lojtarë është përfshirë sulmuesi Mehdi Taremi, ndërsa mungon emri i Sardar Azmoun. Ish-lojtari i Bayer Leverkusen dhe Romës mbeti jashtë skuadrës mes polemikave në Iran, pasi mediat shtetërore e akuzuan për “tradhti” pas publikimit të një fotografie me Emirin e Dubait. Megjithatë, trajneri Amir Ghalenoei deklaroi se përjashtimi i tij është bërë vetëm për arsye teknike.
Irani, i kualifikuar për herë të katërt radhazi në Kupën e Botës, do ta nisë aventurën më 15 qershor në Los Angeles ndaj Zelandës së Re. Më pas do të përballet me Belgjikën më 21 qershor, ndërsa fazën e grupeve do ta mbyllë kundër Egjiptit më 26 qershor në Seattle.






















