
“Krimi ndaj Jamal Khashoggi-t ishte një akt i tmerrshëm, i planifikuar në nivelet më të larta të shtetit saudit kundër një gazetari disident dhe një zëri të pavarur”, deklaroi Emmanuel Daoud, avokati i organizatës Reporterët pa Kufij, pasi drejtësia franceze vendosi të hapë rrugën për hetime mbi vrasjen e gazetarit saudit.
Edhe avokati i Trial International, Henri Thulliez, u shpreh se tashmë “nuk duhet të ketë më asnjë pengesë” për nisjen e një hetimi gjyqësor lidhur me krimin ndaj Khashoggi-t.
Sipas AFP, një grup hetimor në Paris do të shqyrtojë rrethanat e vrasjes së gazetarit disident saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018, pas ankesave të depozituara nga organizata të të drejtave të njeriut kundër princit të kurorës saudite, Mohammed bin Salman.
Princi i kurorës dhe Arabia Saudite u përballën me reagime të forta ndërkombëtare pas vrasjes së Khashoggi-t në konsullatën saudite në Stamboll. Shërbimet amerikane të inteligjencës besojnë se Mohammed bin Salman mbante përgjegjësi direkte për ngjarjen.
Jamal Khashoggi, i cili kishte edhe shtetësi amerikane, kishte publikuar në The Washington Post një artikull kritik ndaj mbretërisë saudite. Më pas, ai u vra dhe trupi i tij u copëtua brenda godinës diplomatike saudite.
Padia ishte depozituar fillimisht në Francë në korrik 2022 nga organizata DAWN-Demokracia për Botën Arabe Tani dhe Trial International, gjatë vizitës së Mohammed bin Salman në vend. Më vonë, ankesës iu bashkua edhe organizata Reporterët pa Kufij.
Zyra Kombëtare e Prokurorisë Kundër Terrorizmit konfirmoi se hetuesit e njësisë për krimet kundër njerëzimit do të verifikojnë ankesën për torturë dhe zhdukje personi. Vendimi vjen pas vitesh debatesh ligjore, pasi prokuroria franceze kishte kundërshtuar hapjen e çështjes. Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi në favor të organizatave të të drejtave të njeriut, një zhvillim që ato e konsiderojnë hap kyç drejt vendosjes së drejtësisë për gazetarin e vrarë.






















