
Presidenti i Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë lejuar kalimin e tre tankerëve kinezë që transportonin naftë iraniane nëpër Ngushticën e Hormuzit, në kulmin e tensioneve në Gjirin Persik.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se anijet kineze arritën të kalonin në këtë korridor strategjik detar “sepse ne e lejuam”, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni ka pasur kontroll të drejtpërdrejtë mbi lëvizjet në zonë.
Ai shtoi se tankerët kishin kaluar përpara vizitës së tij në Kinë dhe takimit me presidentin kinez, Xi Jinping, por shmangu çdo koment mbi mundësinë e një marrëveshjeje të heshtur mes Washingtonit dhe Pekinit për çështjen e naftës iraniane.
Ndërkohë, situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e tensionuar. Irani ka vendosur kufizime për lundrimin tregtar dhe po kërkon tarifa për anijet që kalojnë në këtë rrugë jetike për tregtinë globale të energjisë.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa bllokuese ndaj porteve iraniane, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri të krizës në rajon.
Sipas mediave shtetërore iraniane, rreth 30 anije – mes tyre edhe të paktën një tanker kinez – kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit që prej mbrëmjes së të mërkurës. Teherani pretendon se kalimet janë kryer “me lejen e Iranit”, megjithëse deri tani mungon një konfirmim i pavarur për këto deklarata.






















