Bota 18 Maj 2026, 09:48 Nga VNA

Bllokada e Hormuzit alarmon G7-ën, analiza nga DW: Kërcënim serioz për ekonominë botërore

Ndaje në Whatsapp
Bllokada e Hormuzit alarmon G7-ën, analiza nga DW: Kërcënim

Ministrat e Financave të G7‑së mblidhen për dy ditë në Paris. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë pasojat e luftës në Iran, e cila sipas ministrit gjerman të Financave, Klingbeil, po dëmton ekonominë botërore.

Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, ka paralajmëruar për pasojat globale ekonomike të luftës në Iran. “Kjo luftë po dëmton masivisht zhvillimin ekonomik”, deklaroi politikani i SPD‑së para nisjes për në takimin e ministrave të Financave të vendeve të G7‑së në Paris. Duhet bërë gjithçka për t’i dhënë fund në mënyrë të qëndrueshme konfliktit dhe për të garantuar rrugët e lira detare.

G7 – një aleancë informale e vendeve kryesore industriale perëndimore – konsiderohet si kuadri i duhur për të diskutuar me SHBA‑në dhe shtete të tjera mbi çështjet urgjente botërore. Evropa në këtë drejtim mbështetet te bashkëpunimi në vend të konfrontimit, si dhe te tregtia e hapur. Lufta në Iran dhe bllokada e Ngushticës së Hormuzit përbëjnë “një kërcënim serioz për ekonominë botërore”, theksoi Klingbeil.

Trump kërcënon sërish Iranin me shkatërrim

SHBA‑ja dhe Izraeli nisën më 28 shkurt sulmet ushtarake kundër Iranit. Regjimi në Teheran reagoi me sulme ajrore ndaj Izraelit, disa vendeve të Gjirit dhe objektivave amerikane në rajonin e Gjirit – si dhe me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare të tregtisë në botë. Aktualisht në luftën në Iran është në fuqi një armëpushim. Megjithatë, ende nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin dhe pasojat e rënda ekonomike, që lidhen me të. Presidenti amerikan Donald Trump e kërcënoi sërish regjimin me fjalë të ashpra. Nëse Irani nuk lëviz drejt marrëveshjes, “nga ata nuk do të mbetet më asgjë”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social.

Çështja e lëndëve të para: “të përgatitur për krizat”

Në Grupin e G7-s bëjnë pjesë Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Kanadaja dhe SHBA‑ja. Në takimin e G7‑së, që zhvillohet të hënën dhe të martën në Paris, pritet që në qendër të jenë pasojat ekonomike të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimi i mundshëm në tregtinë botërore.

Një temë tjetër është mbështetja për Ukrainën. Gjithashtu do të diskutohen pabarazitë në tregtinë globale, financimi i vendeve në zhvillim, si dhe masat kundër financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Ministri gjerman i Financave, Klingbeil u shpreh para takimit të G7-s, se krizat aktuale tregojnë se Gjermania dhe Evropa duhet të bëhen më të pavarura dhe më rezistente ndaj krizave, sidomos në fushën e lëndëve të para, energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit. Për këtë arsye, në Paris do të zhvillohen bisedime edhe me ministrat e Financave nga Brazili, India, Koreja e Jugut dhe Kenia.

Pavarësisht fokusit te Lindja e Mesme, lufta agresore e Rusisë kundër Ukrainës nuk duhet të dalë nga vëmendja, tha Klingbeil. Financimi i mbrojtjes së Ukrainës mbetet i garantuar nga G7 dhe BE‑ja. Për të çuar marrëdhëniet ekonomike dypalëshe në një nivel të ri, ai do të nënshkruajë në Paris me homologun e tij ukrainas, Serhij Martschenko, një marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë. Kjo pritet të forcojë shkëmbimin ekonomik dhe të krijojë siguri juridike për periudhën pas luftës, si dhe për rindërtimin. /REL

 

Video

Përplasje dhe tensione janë regjistruar këtë të hënë në kantierin e punimeve të Aeroporti i Vlorës, mes dy firmave që operojnë në projekt. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se njëra palë nuk ka lejuar futjen e punëtorëve në ambientet e kantierit, ndërsa pala tjetër ka kundërshtuar daljen e punëtorëve që ndodheshin brenda. Situata ka sjellë tensione dhe debate mes përfaqësuesve të firmave dhe punonjësve. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të Policia e Shtetit dhe efektivë të Policisë së Vlorës për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa pritet një reagim zyrtar lidhur me shkaqet e përplasjes.

Fundi i ndeshjes në “Air Albania” mes Egnatias dhe Elbasanit, i përfunduar 4-0 për rrogozhinasit, ka sjellë tension. Së fundmi raportohet për incidente, ku ka patur përplasje mes dy tifozërive. E domosdoshme ndërhyerja e policisë, me këta të fundit që kanë qetësuar situatën. Pamje të tilla kthejnë futbollin shqiptar shumë vite mbrapa dhe nuk i shkojnë aspak përshtat sportit më të ndjekur në vet. Sfida Elbasani-Egnatia ishte e vlefshme për ndeshjen e dytë në Final Four

Një breshkë deti është gjetur e ngordhur pasditen e sotme në plazhin e Zvërnecit. Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, breshka e vogël kishte dëmtime në trup dhe shenja gjaku, çka ngre dyshime se mund të jetë goditur nga skafe apo mjete të tjera lundruese që qarkullojnë në zonë. Breshkat detare janë specie të rralla dhe të mbrojtura, të cilat rrezikojnë zhdukjen, ndërsa kërkohet më shumë kujdes dhe kontroll ndaj lundrimit pranë zonave bregdetare ku këto specie jetojnë.

Aktivisti Baki Goxhaj, në një video-mesazh për VNA, njofton për situatën më të fundit pasi ai iu bashkua misionit global Freedom Flotilla Coalition, i cili synon të thyejë bllokadën e Gazës dhe të krijojë një korridor ndihmash humanitare për popullsinë palestineze. “Jam bashkuar misionit global Freedom Flotilla Coalition, i cili synon të thyejë rrethimin gati 3-vjeçar të Gazës, të krijojë një korridor ndihmash humanitare dhe të rrisë solidaritetin mbarëkombëtar me popullin e vuajtur të Palestinës. Flotila e sivjetshme është më e madhja deri tani me rreth 60 anije. Anëtarët e flotilës vijnë nga 50 shtete të ndryshme. Shtetet kryesore kanë delegacionet e tyre, anëtarët e tjerë grupohen në anije të përbashkëta. Pjesëmarrja në këtë mision buron nga një nevojë e brendshme për të bërë diçka përballë mizorive që kemi 2 vite e gjysmë që shohim dhe vjen si një shuplakë për maskarallëqet e qeverisë tonë, e cila nuk na përfaqëson aspak me marrëveshjet që bën me qeverinë genocidale të Izraelit. Shpresoj që pjesëmarrja ime këtu të shërbejë dhe si një zgjim për popullin shqiptar që të marrin frenat e vendit në dorë dhe t’i thonë jo maskarenjve”, shprehet ai.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme