
Donald Trump deklaroi se sulmet izraelite në Liban janë “përplasje të veçuara” kundër Hezbollah dhe nuk janë përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit.
Duke folur për PBS NewsHour, Trump tha se operacionet në Liban nuk kanë lidhje me marrëveshjen me Teheranin.
“Po, ato nuk ishin përfshirë në marrëveshje. Për shkak të Hezbollahut. Nuk ishin pjesë e marrëveshjes. Edhe me këtë do të merremi,” u shpreh ai.
Ndërkohë, një zyrtar i White House i cituar nga The New York Times deklaroi se plani i paqes me 10 pika i publikuar nga Irani nuk është i njëjti plan që po diskutohet me SHBA-në.
Sipas zyrtarit, dokumenti i bërë publik nga Teherani ndryshon nga plani që Trump e ka quajtur “një bazë të zbatueshme për negociata”. Ai nuk dha detaje për dallimet, por tha se zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, pritet të sqarojë çështjen gjatë konferencës për shtyp të planifikuar në orën 19:00.






















