
Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord për një armëpushim dyjavor, vetëm një orë përpara se të skadonte ultimatum i vendosur nga Donald Trump për përshkallëzimin e sulmeve ndaj Iranit. Në këmbim, Teherani pranoi të rishapë përkohësisht Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se edhe Izraeli ka pranuar armëpushimin. Trump deklaroi se ka marrë nga Irani një plan paqeje me 10 pika, të cilin e quajti “një bazë të zbatueshme për negociata”.
Çfarë përmban plani me 10 pika i Iranit
Sipas mediave shtetërore iraniane, lufta mund të përfundojë vetëm nëse një marrëveshje arrihet mbi bazën e këtij plani. Kërkesat kryesore përfshijnë:
• Heqjen e të gjitha sanksioneve primare dhe sekondare ndaj Iranit.
• Kontroll të vazhdueshëm iranian mbi Ngushticën e Hormuzit.
• Tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga Lindja e Mesme.
• Ndërprerjen e sulmeve ndaj Iranit dhe aleatëve të tij.
• Zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit.
• Një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta bëjë marrëveshjen detyruese.
Në versionin në persisht të planit përfshihet edhe pranimi i pasurimit të uraniumit nga Irani në kuadër të programit bërthamor, një formulim që mungon në versionet anglisht të shpërndara nga diplomatët iranianë.
Çfarë ndodh me Ngushticën e Hormuzit
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se kalimi i sigurt në ngushticë do të lejohet nën menaxhimin e forcave ushtarake iraniane. Nuk është e qartë nëse kjo do të thotë se Irani do të zbusë kontrollin e tij mbi këtë rrugë detare strategjike.
Sipas raportimeve, plani parashikon që Irani dhe Omani të vendosin një tarifë deri në 2 milionë dollarë për çdo anije që kalon nëpër ngushticë, para që Teherani synon t’i përdorë për rindërtimin e vendit. Nëse negociatat dështojnë, Irani mund të tentojë ta mbyllë sërish këtë korridor detar.
A do ta pranojë SHBA-ja planin
Që prej nisjes së negociatave për programin bërthamor iranian gati një vit më parë, kërkesat shumë të ndryshme të dy palëve kanë penguar një marrëveshje afatgjatë.
Kërkesa e Iranit për kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit shihet si veçanërisht problematike. Senatori demokrat amerikan Chris Murphy tha për CNN se një marrëveshje që do t’i jepte Iranit kontroll mbi këtë rrugë detare do të ishte “katastrofike për botën”.
Trump nuk ka komentuar drejtpërdrejt kërkesat e Iranit, por ka thënë se SHBA-ja do të “ndihmojë me trafikun e grumbulluar në Ngushticën e Hormuzit”. Analistët besojnë se kërkesat e Iranit janë maksimaliste dhe më shumë një pikënisje për negociata sesa një marrëveshje e mundshme.
A është Izraeli pjesë e marrëveshjes
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli mbështet vendimin e SHBA-ve për të pezulluar sulmet ndaj Iranit për dy javë, por theksoi se armëpushimi nuk përfshin Libanin.
Izraeli kërkon që Irani të hapë menjëherë Ngushticën e Hormuzit dhe të ndalojë sulmet ndaj SHBA-ve, Izraelit dhe vendeve të rajonit. Ndërkohë ofensiva izraelite në Liban ka vrarë të paktën 1,500 persona dhe ka zhvendosur rreth 1.2 milionë banorë, pasi konflikti u përshkallëzua kur grupi Hezbollah lëshoi raketa drejt Izraelit në mbështetje të Iranit.
Çfarë pritet të ndodhë tani
Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif, i cili ndërmjetësoi armëpushimin, ka ftuar delegacionet e SHBA-së dhe Iranit për bisedime në Islamabad të premten.
Teherani ka konfirmuar se do të marrë pjesë në negociata, ndërsa Shtëpia e Bardhë tha se po shqyrton mundësinë e takimeve direkte, por ato ende nuk janë finalizuar.
Si u arrit armëpushimi
Pak para skadimit të ultimatumit të Trump për sulme të reja ndaj Iranit, Pakistani kërkoi shtyrjen me dy javë të afatit për të lejuar diplomacinë dhe i bëri thirrje Iranit të hapte përkohësisht Ngushticën e Hormuzit.
Edhe Kina, partneri më i madh tregtar i Iranit, ka ushtruar presion ndaj Teheranit për të gjetur një rrugë drejt armëpushimit. Trump tha se beson se Kina ka ndihmuar për ta sjellë Iranin në tryezën e negociatave.
Ndërkohë, me zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA që afrohen, sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve kundërshtojnë luftën dhe janë të shqetësuar për rritjen e çmimeve të karburanteve, faktorë që kanë ndikuar edhe në presionin për një zgjidhje diplomatike të krizës.






















