Pamje dhe video të publikuara nga mediat shtetërore iraniane duket se tregojnë qytetarë të mbledhur pranë objekteve strategjike si ura dhe termocentrale në vende të ndryshme të Iranit.
Këto zhvillime vijnë pas deklaratave të një zyrtari iranian, i cili u ka bërë thirrje të rinjve të krijojnë “zinxhirë njerëzorë” për të mbrojtur infrastrukturën kyçe që mund të jetë në shënjestër të sulmeve nga SHBA dhe Izraeli.

Një nga videot e shpërndara nga agjencia Fars shfaq persona që mbajnë një flamur të madh iranian mbi urën ikonike Pol Sefid në Ahvaz, në jugperëndim të vendit. Ndërkohë, një tjetër video pretendohet se paraqet një “zinxhir studentësh” mbi urën historike në Dezful.
Pamje të tjera tregojnë qytetarë të mbledhur pranë termocentralit Shahid Rajaee afër Teheranit, si dhe një grup njerëzish me pankarta jashtë një termocentrali në Tabriz, në veri të Iranit.
Megjithatë, mbetet e paqartë se sa të organizuara janë këto tubime dhe nëse ato lidhen drejtpërdrejt me thirrjen e zyrtarit për krijimin e “zinxhirëve njerëzorë”.
Ndërkohë, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar disa herë për mundësinë e goditjes së objekteve energjetike iraniane, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar se forcat izraelite kanë në shënjestër urat në Iran gjatë ditës së sotme.






















