
Liderët politikë në SHBA dhe shumë amerikanë morën frymë të lehtësuar të martën në mbrëmje, pasi Donald Trump njoftoi një armëpushim të përkohshëm me Iranin, vetëm disa orë pasi kishte kërcënuar se do të shkatërronte “të gjithë qytetërimin” e Iranit nëse Teherani nuk rihapte Ngushticën e Hormuzit.
Marrëveshja u shpall rreth 90 minuta para afatit të vendosur nga Trump, sipas të cilit SHBA-ja do të bombardonte centrale energjetike dhe ura në Iran. Një ndërhyrje e minutës së fundit nga Pakistani bëri që presidenti amerikan të tërhiqej përkohësisht nga ultimatumet e tij.
Trump deklaroi se do të pezullojë bombardimet për dy javë, me kusht që Irani të garantojë hapjen e plotë dhe të sigurt të Strait of Hormuz për trafikun detar.
Ministri i Jashtëm iranian konfirmoi më pas se kalimi i anijeve në ngushticë do të lejohet për dy javë, nën menaxhimin e forcave ushtarake iraniane.
Kritika të ashpra nga demokratët
Lideri demokrat në Senat, Chuck Schumer, tha se është “i lehtësuar që Trump po kërkon me dëshpërim një rrugëdalje nga retorika e tij absurde”.
Disa demokratë shkuan edhe më tej. Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, së bashku me dhjetëra ligjvënës, kërkuan largimin e Trump nga detyra, qoftë përmes impeachment-it apo aktivizimit të amendamentit të 25-të të Kushtetutës.
Deputetja progresiste Alexandria Ocasio-Cortez deklaroi se marrëveshja dyjavore “nuk ndryshon asgjë”, duke akuzuar presidentin se ka kërcënuar me gjenocid ndaj popullit iranian.
Ndërsa lideri demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e quajti sjelljen e Trump “të paqëndrueshme, jo presidenciale dhe të papranueshme”.
Republikanët e mbështesin vendimin
Nga ana tjetër, shumë republikanë në Kongres e përshëndetën vendimin për armëpushim, duke e paraqitur si një lëvizje të zgjuar taktike.
Senatori Rick Scott e quajti zhvillimin “një hap të fortë për ta mbajtur Iranin përgjegjës”.
Edhe senatori Lindsey Graham shprehu shpresën se regjimi iranian mund të ndalet përmes diplomacisë, por paralajmëroi se Irani nuk duhet të shpërblehet për sulmet ndaj lirisë së navigimit në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, deputeti republikan Dan Crenshaw kritikoi ata që reaguan ndaj retorikës së Trump, duke thënë se presidenti “flet në gjuhën e fuqisë, e vetmja që e kuptojnë kundërshtarët”.
Debati në Uashington pritet të vazhdojë, ndërsa Kongresi përgatitet të diskutojë një rezolutë për kufizimin e kompetencave të presidentit për luftë, me qëllim shmangien e një përshkallëzimi të ri të konfliktit me Iranin.






















