Ndodh edhe kjo. Në epokën e komenteve globale, edhe një pyetje nga rrjetet sociale mund të përfundojë në vëmendjen e shkencëtarëve.
Një qytetar nga Kosova, Nexhi Krasniqi, ka komentuar fotografitë e publikuara nga NASA nga misioni Artemis II, ku shfaqet planeti Tokë i fotografuar nga Hëna.
Në komentin e tij në Facebook, Krasniqi ngriti një dyshim klasik të epokës së internetit: pse në fotografi nuk duken yjet?
“Pse nuk po duken yjet nga kjo pozitë? Dyshoj që është krijuar nga inteligjenca artificiale!”, shkroi ai, duke sugjeruar se pamjet mund të jenë gjeneruar me AI.
Por agjencia amerikane nuk e la pa përgjigje komentin. NASA sqaroi se mungesa e yjeve është një fenomen i njohur fotografik.
“Nuk mund të shohim yje në këto imazhe sepse yjet duken shumë më të zbehtë krahasuar me Hënën, e cila është shumë më afër dhe pasqyron shumë më shumë dritë. Kamerat mund të kapin vetëm një gamë të kufizuar mes pjesëve më të ndritshme dhe më të errëta të skenës”, thuhet në përgjigjen e NASA-s.
Kështu, një debat i vogël nga komentet e Facebook-ut përfundoi me një mini-leksion të fizikës së fotografisë nga vetë agjencia që dërgon njerëzit drejt Hënës.





















