
Gjykata Kushtetuese rrëzoi me shumicë votash kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për shpalljen si antikushtetues të masës së sigurisë arrest me burg. Sipas GJK gjatë shqyrtimit të çështjes i konstatua se masa e sigurimit është caktuar për një qëllim të ligjshëm dhe se është proporcionale.
Lidhur me pretendimin Metës se gjatë arrestimit me datë 21 tetor 2024 i është nënshtruar një trajtimi çnjerëzor e degradues, Kushtetuesja tha se mund ta shqyrtojë këtë çështje për sa kohë është nën hetim nga prokuroria dhe ende nuk ka një vendimmmarrje nga gjykatat.
Pas këtij vendimi e vetmja mundësi që ka Ilir Meta për të lënë qelitë janë kërkesat për zëvendësim të masës së sigurisë pranë GJKKO-së.
NJOFTIMI:
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë (Gjykata) në datën 08.04.2026 mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkues Ilir Metaj, me objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 125, datë 20.10.2024 dhe nr. 130, datë 23.10.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nr. 59 (87-2024-333), datë 19.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-364 (57), datë 27.02.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.
Gjykata pasi mori në shqyrtim pretendimet dhe prapësimet e palëve, në mënyrë të përmbledhur, vëren sa vijon:
Së pari, kërkuesi legjitimohet ratione personae dhe ratione temporis për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues për kontrollin e vendimeve gjyqësore që kanë disponuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arresti në burg”.
Së dyti, për sa i takon kriterit për shterimin e mjeteve juridike, kërkuesi ka pretenduar cenimin e së drejtës për të mos iu nënshtruar torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues, të garantuar nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 3 i KEDNJ-së, lidhur me ngjarjen e datës 21.10.2024 për mënyrën e ekzekutimit nga Policia e Shtetit të masës së sigurimit “Arresti në burg”, në zbatim të vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjykata konstatoi, nga njëra anë, se kërkuesi e ka parashtruar këtë pretendim në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm në procesin gjyqësor për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personal dhe nevojave të sigurimit, në ankimin dhe rekursin e tij dhe, nga ana tjetër, se autoritetet shtetërore kompetente nuk kanë vepruar në atë kohë me nismën e tyre për të adresuar pretendimet e kërkuesit. Megjithatë, sipas informacionit të përcjellë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkuesi ka paraqitur kallëzim penal lidhur me ngjarjen dhe pranë asaj prokurorie në vitin 2025 është regjistruar procedimi penal për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, për të cilin hetimet janë në vijim. Në kushtet kur nuk ka ende një vendim përfundimtar nga gjykatat e zakonshme mbi këtë çështje, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se nuk mund ta marrë në shqyrtim këtë pretendim duke qenë se kontrolli i saj ka natyrë subsidiare, në kuptim të nenit 131, shkronja “f”, të Kushtetutës.
Së treti, në aspektin e kriterit ratione materiae, Gjykata u ndal në vlerësimin e argumenteve të kërkuesit në drejtim të cenimit të lirisë personale në aspektin substancial të lidhur me (i) standardin e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova dhe (ii) parimin e proporcionalitetit, të garantuara nga nenet 17, 27 dhe 28 të Kushtetutës. Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se: në çështjen penale ndaj kërkuesit duket se ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindin një vëzhgues të jashtëm se kërkuesi mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet, ndaj nuk mund të arrihet në përfundimin se kufizimi i lirisë së tij është kryer në mungesë të dyshimit të arsyeshëm, në kuptim të nenit 27, paragrafi 2, shkronja “c”, të Kushtetutës dhe nenit 5, pika 1, shkronja “c”, të KEDNJ-së; masa e sigurimit personal ndaj kërkuesit është vendosur për një qëllim të ligjshëm, garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal në ngarkim të tij, ajo nuk është joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes dhe nevojave të sigurimit, si dhe është në përputhje me rregullat procedurale të Kodit të Procedurës Penale për caktimin e saj.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
Rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.






















