Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Donald Trump, ku në fokus kanë qenë armëpushimi i shpallur së fundmi me Iran dhe zhvillimet më të fundit në rajon, raporton Anadolu.
Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimit të Turqisë, të publikuar në platformën NSosyal, dy liderët kanë analizuar situatën aktuale, me theks të veçantë te armëpushimi i shpallur një ditë më parë.
Gjatë bisedës, Erdogan ka shprehur kënaqësinë për arritjen e armëpushimit, duke vlerësuar se periudha dyjavore, pas një faze të vështirë 40-ditore, krijon një mundësi të rëndësishme për të avancuar drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.
Ai ka theksuar gjithashtu se kjo periudhë duhet shfrytëzuar në mënyrë efektive dhe ka paralajmëruar kundër çdo veprimi që mund të minojë procesin.
Më tej, presidenti turk ka nënvizuar se Turqia do të vazhdojë të rrisë mbështetjen për përpjekjet diplomatike, në bashkëpunim me vendet mike dhe vëllazërore, veçanërisht me Pakistanin, për arritjen e një zgjidhjeje.
Një ditë më parë, Trump njoftoi arritjen e një armëpushimi dyjavor me Iranin, duke bërë të ditur se Teherani kishte paraqitur një propozim ‘të realizueshëm’ prej 10 pikash për negociata.
Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit bëri të ditur se ky propozim, i dorëzuar përmes ndërmjetësimit pakistanez, përfshin një angazhim për tw ndaluar sulmet nga SHBA, vijimin e kontrollit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit, pranimin e pasurimit të uraniumit dhe heqjen e të gjitha sanksioneve parësore dhe dytësore.
Në propozim parashikohet gjithashtu pagesa e kompensimeve për Iranin, tërheqja e forcave luftarake amerikane nga rajoni, si dhe përfundimi i luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe atë kundër Hezbollahut në Liban.






















